Jetimorja e parë në Shqipëri u ngrit me 28 nëntor të vitit 1917.
Ishte një ide e nënprefektit të Tiranës Rauf Fico në bashkëpunim me ish kryebashkiakun e Tiranës Zyber Hallulli.
Ata dhe figura të tjera publike mobilizuan familjet e pasura dhe tregtarët e qytetit, pasi problematika e fëmijëve pa familje u theksua shumë në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore.
Pas largimit të ushtrive të huaja nga Shqipëria, në mbarë vendin do të mbeteshin pas fëmijë të braktisur. Disa prej tyre kishin humbur prindërit e disa të tjerë ishin braktisur si fëmijë të paligjshëm të ushtarëve të huaj me gra vendase.
Këta të pafat shiheshin si të dëbuar për moralin e shumicës së popullit dhe askush nuk interesohej për ta. Misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan që erdhën në Shqipëri për të ndihmuar në kapërcimin e pasojave të Luftës, do t’i bashkonin këta fëmijë për t’u kujdesur për ta, në bashkëpunim me autoritetet lokale – raporton portal ekonomik Scan.
“Amerikanët çelën një jetimore dhe shkollë për këta fëmijë të përjashtuar dhe tani këta fëmijë po marrin kujdesin e nevojshëm” – shkruhet në diçiturën e një prej fotove të Librarisë së Kongresit Amerikan.
Krahas jetimores në Tiranë, Kryqi i Kuq Amerikan do të bashkëpunonte edhe me murgeshat italiane në Shkodër për të hapur jetimore tjetër për fëmijët atje.
Në Shkodër do të ishin dy jetimore, ajo e motrave jezuite e ajo e motrave saveriane.
Pas stabilizimit dhe transferimit të strukturave të misionarëve amerikanë nga Kryqi i Kuq te qeveria shqiptare, jetimorja e Tiranës (Streha Vorfnore) në vitet ‘20 do të financohej nga fondet publike.
Në vitin 1936, me një ligj të posaçëm, bashkitë e vendit u detyruan që të dërgonin jetimë nga juridiksioni i tyre, kundrejt një pagese 400 franga ari në vit.
b.m. / dita