Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurtin kanë ndjekur nga afër kombëtaren kuqezi, në ndeshjen e rëndësishme përballë Çekisë në stadiumin “Air Albania”.
Në fotot e siguruara nga Report Tv vihet re distanca mes dy kryeministrave, pasi Rama ndodhet në zonën vip në katin e parë e ndërsa Kurti në të dytin.
Nuk dihet nëse ka pasur më parë një shtrëngim duarsh, por Rama dhe Kurti po e ndjekin në distancë ndeshjen. Nga fotot vihet re se Rama shoqërohet nga bashkëshortja, djali i vogël Zaho, Armand Duka dhe Taulant Balla.
Ndërkohë që Kurti shihet së bashku me djalin e Adem Jasharit, si dhe në krah të tij është zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Ardhja e Albin Kurtit në Tiranë, pas qëndrimit kritik të Ramës ndaj tij për situatën në veri të Kosovës, ka krijuar polemika.
Rama e akuzoi homologun kosovar sot në Kuvend duke thënë se dobësoi diplomatikisht Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe se sipas tij ‘sulmon’ qeverinë shqiptare për politikë të brendshme elektorale.