Mbledhja e Këshillit Politik, e cila nisi rreth dy orë më parë për reformën zgjedhore ka përfunduar pa konsensus.
Partitë politike nuk kanë gjetur ende dokordësinë për formulën e KQZ-së.
Pas takimit, palët bënë përgjegjës njëri-tjetrin, për dështimin e gjetjes së zgjidhjes.
Oerd Bylykbashi i PD tha se ata kërkojnë garanci për KQZ, në mënyrë që “të mos kemi një maxhorancë që shkatërron zgjedhjet”.
“Sot në Këshill diskutuam propozimin e dytë të opozitës së bashkuar në lidhje me KQZ. Ju e dini që ne kishim bërë një propozim tjetër por sot me qëllim që marrëveshja të zbatohet, duke siguruar të gjitha garancitë e procesit të emërimit të anëtarëve të KQZ, që të jenë profesionistë dhe që gëzojnë respekt te spektri politik, si dhe të sigurojnë që në nxjerrjen e akteve nënligjore nuk do kemi mazhorancë që do shkatërrojë zgjedhjet.
Ne i kërkuam mazhorancës me këtë hap të dytë, të heqë dorë nga këmbëngulja që me cdo kusht të cojnë në një proces që nuk kalon nga Kuvendi.
I ftuam të reagojnë në mënyrë konstruktive që KQZ të ngrihet sa më shpejt për t’i hapur rrugë implementimit të identifikimit biometrik në të gjithë vendin”, tha Bylykbashi.
Ndërsa Damian Gjiknuri i PS, u shpreh se zgjidhja mund të vijë shpejt.
“Procedura parlamentare siguron mjaftueshëm garanci. Skema e KQZ-së e përdorur më parë nuk ka qenë problem.
Mazhoranca garanton që përfaqësuesit apo ekspertët që do të konkurrojnë për këto pozicione do të kenë mbështetjen e mazhorancës, nëse do të kenë edhe mbështetjen e PD-së.
I kërkuam PD-së të reflektojë pjesëmarrjen e deputetëve në këtë proces.
Them se kjo formulë do të zgjidhet shumë shpejt.
Në këshill zhvillohen debate dhe natyrshëm ekspertët mund të punojnë për gjetjen e një kompromisi.
Besoj se do të gjejmë kompromisin për këtë që folëm.
Brenda pak ditësh duhet ta mbyllim. Nëse zgjidhet çështja e KQZ-së, kemi shumë pak çështje të mbetura”, tha Gjiknuri.