Forcimi i lekut ndaj valutave kryesore ka dhënë një efekt pakësues prej 31 miliardë lekësh te depozitat gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, dhe prej rreth 33 miliardë lekësh në terma vjetorë, raportoi së fundmi Banka e Shqipërisë në një nga publikimet periodikë të saj.
Pesha e depozitave në valutë në totalin e depozitave qëndroi e pandryshuar gjatë periudhës, duke shënuar nivelin 52.9% në fund të muajit qershor. Mosndryshimi i peshës tregon për rritjen e depozitave në valutat, pavarësisht ndikimit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut në kundërvlerën totale të depozitave në valutë.
Gjatë 6-mujorit të parë të vitit depozitat në sistemin bankar ranë me 1.7% ose rreth 20 miliardë lekë në krahasim me fundin e vitit. Rënie është raportuar në të gjitha llojet e depozitave, sipas monedhës, sektorit dhe produktit, përveç depozitave pa afat, të cilat u rritën me rreth 3%. Në krahasim me një vit më parë rritje të dukshme kanë shënuar depozitat e bizneseve (me 4.7%), llogaritë rrjedhëse (me 2.7%) dhe depozitat pa afat (me 16%), ndërsa depozitat e individëve kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.
Banka e Shqipërisë sqaroi se, kjo ecuri është e lidhur ngushtë me strukturën e maturimit të kursimeve, pasi rënia e depozitave me afat, të preferuara nga individët, në kushtet e normave më të ulëta të interesit, është shoqëruar me rritjen e depozitave pa afat dhe të llogarive rrjedhëse, të preferuara nga bizneset.
Rritja vjetore e llogarive rrjedhëse, depozitave pa afat dhe depozitave të përgjithshme, vijon të mbetet pozitive, por ka ardhur duke rënë gjatë dy viteve të fundit.
Për shkak të kontributit negativ të depozitave me afat në ecurinë e depozitave totale dhe të kontributit pozitiv të depozitave pa afat dhe të llogarive rrjedhëse, gjatë 2 viteve të fundit, në strukturën e depozitave sipas afatit të maturimit, pesha e depozitave me afat ka zbritur me 2 pikë përqindje në nivelin 57%, pesha e depozitave pa afat është rritur me 2 pikë përqindje në nivelin 10%, ndërsa pesha e llogarive rrjedhëse ka mbetur e pandryshuar në 33%./Monitor