Forcimi i Lekut po i bën gjithmonë e të lira importet shqiptare, pavarësisht se një gjë e tillë nuk është ende shumë e prekshme në ecurinë e çmimeve të konsumit.
Kursi zyrtar i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka rënë me pothuajse 4% vetëm në 10 ditët e para të muajit qershor, ndërsa rënia krahasuar me vitin e kaluar është më shumë se 12%.
Banka Qendrore ka theksuar disa herë se forcimi i Lekut ka qenë një nga arsyet pse Shqipëria pati nivele inflacioni më të ulëta krahasuar me pjesën tjetër të rajonit dhe Europës.
Në fakt, leku i fortë ka filluar të japë një ndikim në rënien e inflacionit të importuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, në nivelin 8.7%. Inflacioni i importuar për herë të parë pas një viti, shënoi vlerë njëshifrore, i ndikuar nga tkurrja vjetore e çmimeve të karburanteve dhe nga ngadalësimi i inflacionit të ushqimeve të përpunuara.