Ashtu siç gazeta “SOT” e paralajmëroi pak ditë më parë, Partia Demokratike do të përfaqësohet në samitin e Partive Popullore, i cili do të zhvillojë punimet në Roterdam në datat 31 maj dhe 1 qershor nga deputetët Jorida Tabaku, Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi. Një nga çështjet që do të diskutohet do të jetë edhe situata në PD.
Deputetët Vokshi dhe Këlliçi i përkasin Komisionit të Rithemelimit, i cili organizoi zgjedhjet në Partinë Demokratike dhe kryetar i saj u zgjodh Sali Berisha, ndërsa Tabaku i përket grupimit tjetër, atij që dikur kishte si udhëheqës Lulzim Bashën, ndërsa sot ka Enkelejd Alibeajn dhe Gazment Bardhin.
Por kjo është hera e parë që PPE nuk ka një ftesë zyrtare për PD, ndërkohë që gazeta ka mësuar se ky vendim ka ardhur për shkak se simotrat e Partisë Demorkatike presin që të flas Gjykata dhe se ato nuk njohin Berishën dhe “Foltoren” si drejtues të PD. Ndërkohë një lajm të kësaj natyre e ka pohuar në një studio televizive edhe deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.
“Nuk do të ketë në ndonjë rregullore, statut, të PPE ndonjë rresht që merret, trajton dhe shqyrton çështjet e dizenjimit. PD ka sot një kryetar legjitim të zgjedhur me një anëtar një votë që duam apo nuk duam është profesor Berisha, ka një Kryesi të re, ka një Këshill Kombëtar, ka një proces të tërë të rregullt, ka një dosje me mijëra faqe, dokumenta që kanë të bëjnë me Kuvendin e 11 dhjetorit. Realitet politik në PD është ky që është sot.
PPE për të qenë neutrale dhe për të mos bërë ndonjë gabim për tu përfshirë në debat të brendshëm në PD ka vendosur që deri në momentin që të ketë një vendim final nga gjykata të jetë i tërhequr. Ua konfirmoj. Ndaj kanë vendosur të mos kenë një ftesë zyrtarisht për PD, por PD patjetër do të jetë e përfaqësuar qoftë me Forumin Rinor, Lidhjen e Gruas, Këshillin e Europës dhe të gjithë”, deklaroi Këlliçi.
Partitë Popullore shpallin “non grata” “Foltoren”
Por përveçse nuk e njohin dhe presin të shohin si do të vendosë gjykata, Partitë Popullore Europiane duket se e kanë shpallur edhe “non grata” Partinë Demorkatike, për shkak se të tre deputetët që do jenë sot prezent në mbledhjen e PPE nuk kanë të drejtë vote. Sipas dokumenteve të siguruara, PD nuk ka asnjë delegat, i vetmi vend nga lista e partive që janë pjesë e PPE.
Në këtë mënyrë, Berisha pas krizës qe shkaktoi ne PD teksa e ndau partine pjesë-pjesë duke larguar dhe Bashën nga drejtimin, me shkak kryesor shpalljen ‘non grata’ nga SHBA, me ne fund ia ka dale qe izolimin nga SHBA dhe BE, ta shtrihet dhe grupimi i djathtë europian PPE, ku PD ka bërë pjesë.
Tani i hiqet dhe e drejta e votës. Kujtojmë se më 19 maj, deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, folës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Evropian, ka dhënë një intervistë për DË rreth situatës ku ndodhet Partia Demokratike. Ai tha nëse kjo forcë politike kthehet te e djeshmja duke nënkuptuar rikthimin e Berishës do të angazhohet për ta pezulluar PD-në nga PPE-ja. “Më vjen shumë keq për zhvillimet në PD dhe nuk jam i vetmi.
Sigurisht që është çështje e vetë partisë se kë dëshiron të zgjedhë për lider. Neve nuk na takon të ndërhyjmë. Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit”, deklaroi Krichbaum.
PPE i hoqi të drejtën e votës në Kongres, Bardhi: E pritshme
Megjithatë pas vendimit të Partive Popullove Europiane për të lënë jashtë Partisë Demorkatike nga zgjedhjet për presidentin e ri, ka reaguar dje edhe deputeti Gazment Bardhi, i cili thotë se një gjë e tillë ishte e pritshme. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se ish-kryeministri Sali Berisha po e izolon PD për shkak të izolimit të tij.
“Diskutimi për pezullimin e PD nga EPP është një lajm i keq për demokratët, fatkeqësisht i paralajmëruar. SB po e izolon PD për shkak të izolimit të tij. Pushtimi i PD nga SB ka sjell mungesën e ftesave për PD në kongresin e EPP. Kjo është e pamerituar për mijëra demokratëve”, shkruan Bardhi.