Një reportazh për masivin pyjor të Munellës, pretendent për t’u futur në listën e zonave të mbrojtura ka përfunduar në tragjedi me një të vdekur dhe një të plagosur të enjten e sotme.
Ekipi i përbërë nga gazetari Alfred Lela, Ndoc Mulaj, specialist i turizmit, Ilir Shyti inxhinier pyjesh, operatori Gisel Dollani dhe Dorien Malaj kanë rënë në një humnerë, teksa po lëviznin në orët e mbrëmjes në këmbë në këtë zonë.
Për pasojë ka humbur jetën, specialisti i turizmit, Ndoc Mulaj. Ky i fundit, prej disa orësh ishte zhdukur dhe nuk dihej asgjë për fatin e tij, por fatkeqësisht është gjendur i vdekur pas kërkimeve.
Ishte gazetari Lela ai që sinjalizoi fillimisht për rënien në humnerë të dy personave, por për shkak të zonës së thellë ku ndodhi ngjarja ndërhyrja u bë me shumë kohë vonesë.
Vetë Lela ka disa dëmtime në këmbë, ndërkohë që dëme të shumta ka pësuar dhe inxhinieri Ilir Shyti. Fillimisht u raportua për një aksident me makinë, por me kalimin e orëve u hodh dhe më shumë dritë mbi ngjarjen.