Partia kryesore e opozitës greke, Nea Dhimokratia e drejtuar nga Kiriakos Micotakis, duket të ketë mposhtur partinë e kryeministrit Aleksis Cipras, Syriza, në zgjedhjet e sotme për deputetët e Greqisë në Parlamentin Evropian dhe ato vendore për kryetarët e qarqeve, bashkive, komunave dhe këshillat bashkiakë.
Kur janë numëruar mbi 34 për qind e votave, ND ka siguruar mbi 33 për qind kurse Syriza rreth 24 për qind.
Kryeministri Aleksis Cipras foli para pak minutash duke pranuar rënien e partisë së tij, raporton korrespondenti noa.al në Athinë që po ndjek zhvillimet e fundit.
Ai tha se rezultatet i japin të drejtë opozitës të kërkojë ndryshimin ndaj ka vendosur që pas raundit të dytë zgjedhor të kërkojë nga Presidenti grek shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Z.Cipras nuk dha një datë se kur ai planifikon të zhvillohen zgjedhjet por më e mundshmja është në 30 qershor.