Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor jep informacion lidhur me gjithë ata persona që duan të rezervojnë online targat e serive të veçanta.
Bëhet me dije se rreth 3500 targa të bukura në vit ishin privilegj i drejtorëve, por se sot janë shërbimi më i ri i DPSHTRR me zgjedhje në sistemin e ri online.
“Pa mik, pa i gjetur numrin a muzën drejtorit! Tarifat i shkojnë arkës publike, jo shefave!
Merr fund një fenomen që s’na nderonte. Rezervo vetë targën tënde të preferuar: http://rezervim.dpshtrr.gov.al/#/booking”, thuhet në njoftim.
Për targat e veçanta për automjetet kategoria A, tarifa është 30 000 lekë të reja, për 001 dhe 007 dhe trenumërorët e njëjtë (111, 222,…,999).
Kategoria B, tarifa është 20 000 lekë.
E njëjta tarifë është edhe për targat që fillojnë me dy zero (përveç 001 dhe 007; pra: 002, 003,…,009); Mbarojnë me dy zero (100, 200,…,900) dhe dy numrat anësor njësoj, zero në mes (101, 202,…,909).
Në të dyja rastet plus është tarifa bazë e regjistrimit të mjetit.
Aplikuesi zgjedh live nga inventari i serive të prodhuara nga DPSHTRR. Fondi i targave furnizohet periodikisht, informacioni publikohet posaçërisht.
Pagesa kryhet në sportel në momentin e regjistrimit të mjetit në afate të caktuara, çdo detaj në sistemin e ri online.
(Furnizimi i parë, dt. 7.04.2019 – hedhur në inventarin e sistemit të ri 629 targa të serive të veçanta sipas akteve në fuqi)
DPSHTRR rezervon të drejtën të pezullojë rezervime që kryhen nga persona që dyshohet se luajnë rolin e sekserëve ose që shtojnë tarifa të paautorizuara mbi këtë shërbim publik, si edhe ndalon aksesin në sistem përgjithmonë për keqpërdorim të shërbimit.
Në çdo rast kur një rezervim nuk rezulton në kryerjen e shërbimit për mosparaqitjen e qytetarit/subjektit brenda afatit, targa rikthehet automatikisht në sistem për t’u rishitur përmes rezervimeve të reja.