Rritja e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) pritet të jetë e shpejtë edhe në vitet në vijim. Piervittorio Farabbi, Drejtori Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, pohon se brenda tre vitesh, numri i pasagjerëve parashikohet të arrijë në 10 milionë. Paralelisht do të investohet për zgjerimin e kapaciteteve të TIA në shumë elemente, si shtimi i parkimeve, trefishimi i përmasave të terminalit, rinovimi i pistës dhe zgjatja e saj, gjë që do të mundësojë funksionimin e linjave transatlantike me Kanadanë dhe SHBA-në.
Interesi për të filluar fluturimet në Rinas është i lartë nga operatorët tradicionalë dhe me kosto të ulët, jo vetëm nga Europa. “Ne po kërkojmë të zgjerohemi në Lindjen e Mesme (tashmë ka disa fluturime, disa prej të cilave gjatë gjithë vitit) dhe Azinë Qendrore”.
Z. Farabbi thotë më tej gjatë intervistës së tij për revistën “Monitor” se “Kastrati Group”, si aksioneri i vetëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, deri në fund të vitit 2024 do të përfundojë projekte të rëndësishme, që kapin vlerën 60 milionë euro. Investimet që do të kryhen në aeroport pritet të kalojnë me 40% vlerën fillestare të investimeve prej 100 milionë eurosh, që ishte kusht i marrëveshjes koncesionare.
-Zoti Farabbi, si do ta vlerësonit ecurinë e TIA-s në vitin 2023, krahasuar me pritshmëritë tuaja? Cilët janë faktorët kryesorë që ndikuan në këtë progres?
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka pësuar një zhvillim rrënjësor gjatë viteve të fundit. Në vitin 2023, Aeroporti i Tiranës (TIA) u rendit ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Europë (të dhënat e ACI Europe), 40% më shumë se në vitin 2022. Më e rëndësishmja, TIA ka përfunduar me sukses rimëkëmbjen e trafikut ajror pas COVID-19, më shpejt se shumë aeroporte të tjera në mbarë botën, me pothuajse 120% rritje krahasuar me vitin 2019.
Nuk mund të ishim më të lumtur se kaq, për këtë reagim mbresëlënës të tregut shqiptar të aviacionit, i cili është indikatori kryesor në performancën e jashtëzakonshme të sektorit të turizmit shqiptar, duke kapur shifrën rekord prej 10 milionë turistësh në vitin 2023. Një ndër faktorët kryesorë të suksesit të padiskutueshëm është zgjerimi dhe investimet kapitale për rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të aeroportit dhe për pasojë, rritja e numrit të fluturimeve direkte dhe kompanive ajrore ndërkombëtare që operojnë tashmë në Shqipëri.
Një rol të pazëvendësueshëm në këto rezultate ka edhe promovimi i vendit në arenën ndërkombëtare nga qeveria shqiptare dhe të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces, si një perlë e natyrës dhe traditës, në zemër të Europës.
-Që kur Kastrati Group mori në pronësi Aeroportin e Rinasit, sa është vlera e investimeve në këtë aeroport?
Kastrati Group ndërmori një hap të guximshëm, duke marrë kontrollin e plotë të TIA-s, në mes të krizës më të rëndë botërore të aviacionit, në vitin 2021. Megjithatë, grupi zgjodhi të investojë menjëherë në nxitjen dhe mbështetjen e linjave ajrore që shprehën interes për të vendosur dhe për të rritur praninë e tyre në Shqipëri me më shumë fluturime, avionë më të mëdhenj dhe krijimin e bazave të mëdha operacionale, siç është rasti i “Wizzair”. Gjithashtu, për të përballuar një rritje të tillë, u planifikuan menjëherë investime për të përmirësuar përvojën e pasagjerëve në TIA.
Për të kuptuar më qartë natyrën e këtyre investimeve, është e rëndësishme të kujtojmë se marrëveshja aktuale e koncesionit kërkon që operatori i aeroportit të investojë 100 milionë euro në infrastrukturat e reja, deri në vitin 2040. Ndërkohë, Kastrati Group, si aksioneri i vetëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, deri në fund të vitit 2024 do të përfundojë projekte të rëndësishme që kapin vlerën 60 milionë euro. Investimet që do të kryhen në aeroport pritet të kalojnë me 40% vlerën fillestare të investimeve prej 100 milionë euro.
-Si pritet rritja e numrit të pasagjerëve për vitin 2024 dhe më pas në terma afatmesëm? A mund të bëni një ndarje midis të huajve dhe vendasve? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë në këto parashikime, (skenarët pozitivë dhe negativë)?
Parashikimi ynë i fundit për vitin 2024 ka një objektiv prej 9 milionë pasagjerësh (MPPA), pra një rritje prej 25% nga viti 2023. Kjo vjen edhe si rezultat i efektit të madh të rrjetit të kompanisë ajrore “Ryanair”, që në një kohë të shkurtër, mund të ndikojë ndjeshëm në arritjen e shifrave të parashikuara. Duke u bazuar te kërkesat e reja që kemi nga kompani të ndryshme ajrore ndërkombëtare, ne projektojmë që në tre vitet e ardhshme të arrijmë 10 milionë pasagjerë në aeroport, sepse ka tregje ku ende kemi hapësira për të ofruar shërbime. Gjithashtu, shohim se ka ndryshim në raportin e udhëtarëve ndërkombëtarë, duke u shtuar më shumë udhëtarët që udhëtojnë për turizëm dhe punë sesa ata që vizitojnë miq dhe familjarë.
-Sa ka ndihmuar kthimi i vendit në një destinacion turistik në rritjen e aktivitetit tuaj dhe anasjelltas?
Ka padyshim një ndërvarësi midis trafikut të regjistruar nga TIA dhe shifrave të regjistruara nga sektori i turizmit shqiptar. Siç u përmend më lart, rritja e TIA-s në vitin 2023 ishte pothuajse 40%, ndërsa prurjet ndërkombëtare u rritën gjithashtu nga 7.5 milionë në 2022 në më shumë se 10 milionë në 2023, pothuajse 35% rritje. Është e qartë se fushata e marketingut që promovon Shqipërinë në mbarë botën po funksionon në mënyrë efektive në nxitjen e interesit dhe aeroporti vepron si lehtësues kryesor, veçanërisht për tregjet jo lehtësisht të arritshme.
-Cilat janë planet për hyrjen e linjave të reja ajrore dhe shtimin e destinacioneve?
Gjithmonë e më shumë operatorë, si ata historikë, ashtu edhe loë-cost (LCC), kanë shfaqur interes për të nisur aktivitetin në Tiranë, në disa raste duke prezantuar fluturime të planifikuara në destinacione ku më parë i kryenin vetëm avionët çarter. Interes nuk ka vetëm nga Europa. Ne po kërkojmë të zgjerohemi në Lindjen e Mesme (tashmë ka disa fluturime, disa prej të cilave gjatë gjithë vitit) dhe Azinë Qendrore. Por, më e rëndësishmja, me investimet që po realizojmë, së shpejti do të fillojnë të operojnë fluturimet e sigurta edhe në linjat transatlantike për në Kanada dhe SHBA.
Bisedimet janë duke u zhvilluar me operatorët e atyre tregjeve dhe ne shpresojmë të përfundojmë analizën e fizibilitetit sa më shpejt.
-Sa parashikohen investimet në afatin e mesëm për rritjen e kapaciteteve të aeroportit?
Kapaciteti i aeroportit matet si emërues i përbashkët i shumë elementeve, ose nënsistemeve të ndryshme. Nuk mjafton, për shembull, zgjerimi i terminalit për të rritur kapacitetin e përgjithshëm, pasi varet edhe nga mënyra se si menaxhohet hapësira ajrore. Si i tillë, TIA dhe Kastrati Group kanë adresuar të gjitha nënsistemet kyçe, duke planifikuar investime në ambiente të reja parkimi makinash dhe pajisje sigurie moderne, duke trefishuar përmasat e terminalit dhe duke shtuar 50% më shumë vend-qëndrimet e flotës ajrore. Nga ana operacionale, rinovimi i planifikuar i të gjithë aeroportit, pistës dhe rrugëve lidhëse, do të lejojë TIA-n të rrisë efektivitetin e bashkëveprimit me AlbControl, me synimin për të zbatuar së bashku A-CDM (optimizimi i burimeve për rritjen e eficiencës së aeroportit) në Shqipëri dhe për të rritur kapacitetin e pistës me 50%, që përkthehet në rritje të trafikut ajror (Air Traffic Movement) në orë. Tashmë është duke u punuar për zgjatimin e pistës, në mënyrë që të lejojë që fluturimet në distanca të gjata të funksionojnë pa kufizime.
-Sa konkurrent do të jetë për ju Aeroporti i Vlorës, duke qenë se punimet kanë nisur tashmë?
Aeroporti i Vlorës do të jetë një vlerë e shtuar për aviacionin shqiptar, që do të ndihmojë gjithashtu për rritje në planin e gjerë europian. Është konceptuar si aeroporti që i shërben Rivierës Shqiptare, duke ofruar transferta të shkurtra për grupet e përzgjedhura turistike që vizitojnë Shqipërinë. Ne e mirëpresim rolin e këtij aeroporti, për t’i shërbyer sa më mirë numrit gjithnjë e në rritje të pasagjerëve, veçanërisht të turistëve që vizitojnë vendin.