Prej disa ditësh, nëpër portale po shkruhet se PS ka vjedhur të dhënat e qytetarëve dhe na ka vendosur të gjithëve nga një patronazhist.
Mes shumë emrave të njohur, në listë ishte edhe ai i Sali Berishës, patronazhisti i të cilit, sipas atyre që kanë nxjerrë emra, është gazetari i njohur sportiv, Ervin Baku.
I ftuar në emisionin “7pa5” në “Vizion Plus”, Baku theksoi se u befasua kur u informua nga mediat, duke e cilësuar një gjë absurde.
“E kam marrë me sportivitet këtë lajm që ka dalë këto ditë. Jemi në muajin prill dhe dihet me çfarë feste fillon ky muaj.
Me Berishën kam marrëdhënie shumë të mira që datojnë që nga koha ime në Strasburg, por nuk ndikojnë në bindjet e mia sportive, kulturore, artistike, apo edhe politike.
Unë nuk jam në dijeni, më duket shumë butaforike. Kjo është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
Jam kundër këtyre praktikave. Realisht jam kundër këtyre praktikave. Nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla. Une e mora me shumë sportivitet”, tha ai.