Eurodeputeti Knut Fleckenstein ka akuzuar drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha se ka lidhje të forta me rusët. Ashtu siç gazeta ka prej disa ditësh që e deklaron se fshihet Moska pas skenarëve destabilizues, të njëjtën gjë ka deklaruar dhe eurodeputeti gjerman gjatë një takimi që ka pasur më herët me përfaqësues të shoqërisë civile. Kjo gjë është bërë e ditur vetë nga Sali Berisha dje, në “Ora News”.
“Erdhi ky në Tiranë, Knuti dhe takoi shoqërinë civile. 5 organizata, që të 5-ta të sponsorizuara nga Soros dhe u tha mos u mërzisni se Saliun e nxisin rusët. Ndërkohë që vetë i ka lidhjet me rusët vetë të dokumentuara”, tha Berisha. Por kjo dëshmon qartë se dhe BE e di se pas çdo skenari destabilizues është Moska. Gazeta e ka thënë se Meta e Berisha janë ata që po ndjekin skenar rus në mënyrë që vendi të shkojë drejt kaosit.
Dje në Tiranë ishte një grup prej 7 eurodeputetësh, përfshirë dhe Fleckenstein dhe gjatë konferencës për shtyp u përmend edhe Rusia, duke dhënë sinjale pas gjithçkaje fshihet Moska. Tunne Kelam deklaroi se në BE lajmet e rreme i nxit Rusia, ndërsa në Tiranë qeveria e opozita. Ndërkohë, Sali Berisha dje nuk ka kursyer dhe sulmet ndaj Fleckenstein, për akuzat që ai lëshoi ndaj Kryemadhit. “Knut gaboi.
Së pari nuk i takon atij të përdor formula siç i thotë Edi Rama. Së dyti, gosipi është gosip dhe tani nga darka fliste për “shershe la femme”. Ai dëshpërim që shtyu atë në urrejtje personale ndaj Monikës, gojët e liga thonë se ajo mund t’i ketë prishur diku punë”, vijoi ai.
Pa ashtu, Berisha dje ka dhënë sinjale se do rritet doza e destabilizimit, pasi ka thënë se mund të djegin mandatet dhe kryebashkiakët. “Ky është një vendim që e ka kryesia e opozitës. Por, nuk përjashtohet mundësia që të shkojë drejt tij. Ky është revolucion në zhvillim. E kam përdorur 100 herë në Facebook pa ardhur”, tha ai.