Përfaqësimi i akuzës në çështjen e Emiljano Shullazit ka zhytur në kaos Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku 10 prokurorë u vendosën nën procedim disiplinor ndërsa 3 prej tyre u transferuan në rrethe periferike të enjten.Zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme i motivoi masat ndëshkimore me refuzimin “në bllok” të procedurës për zgjedhjen me short të prokurorit që do të përfaqësojë në gjykatë çështjen penale kundër Shullazit dhe katër të akuzuarve.
Donika Prela autorizoi paraardhësin e saj, Besim Hajdarmataj për të përfaqësuar çështjen në gjykatë. Hajdarmata u paraqit në seancën e 11 shtatorit, ku u kundërshtua nga avokatët mbrojtës dhe kërkoi kohë për shqyrtimin e akteve të dosjes.
Por më 19 shtator, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela organizoi një mbledhje për hedhjen e një shorti që do të përcaktonte një përfaqësues shtesë të akuzës në dosjen e Shullazit. Mbledhja u shoqëruar me debate, ndërkohë që prokurorët e kundërshtuan procedurën e ndjekur si antiligjore dhe braktisën njëri pas tjetrit procesin.Përplasja u përshkallëzua të enjten, kur Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se kishte nisur procedim disiplinor kundrejt 10 nga 17 prokurorët e pranishëm në mbledhje.
Në një njoftim të dytë, organi qendror i akuzës bëri me dije vendimin për transferimin e tre prej prokurorëve kundërshtues-Besim Hajdarmataj në Pogradec, Olsian Çela në Berat dhe Sonila Muhametaj në prokurorinë e Pukës.
Por prokurorët Besim Hajdarmataj, Olsian Çela, Sonila Muhametaj dhe Eugen Beçi i kundërshtuan argumentet e Prelës në biseda telefonike , ndërsa paralajmëruan edhe lëvizje ligjore.
Prokurori Besim Hajdarmataj, i cili ka drejtuar më parë Prokurorinë e Krimeve të Rënda tha se ai ka pranuar prej fillimit të shtatorit përfaqësimin e akuzës në çështjen e Shullazit, ndonëse vuri në diskutim bazën ligjore të autorizimit që e ngarkoi me këtë detyrë.
“Unë kam pranuar të përfaqësoj akuzën edhe me një autorizim që nuk kishte bazë ligjore. I jam drejtuar titullarit me shkrim, ku jam munduar të shpjegoj se cila është mënyra e mirë që prokuroria duhet të përfaqësohet dhe rrugët proceduriale që duhen ndjekur,” tha Hajdarmataj.
“Nuk është e vërtetë që unë kam braktisur mbledhjen dhe ne kemi pasur korrespondencë për diskutimin e kësaj çështjeje,” shtoi Hajdarmataj.
Edhe Olsian Çela tha se nuk refuzoi procedurën, por bindjen ndaj një procedure që ai e quan antiligjore.
“Ne refuzuam procedurën antiligjore të procesit dhe jo hedhjen e shortit. Dosja ka prokuror dhe si në çdo proces tjetër mund të vijohet në të njëjtën praktikë,” tha Çela.
Prokurori tjetër, Eugen Beçi tha se “10 prokurorë nuk mund të kryejnë një veprim antiligjor”, duke këmbëngulur se veprimet e tij janë në përputhje me ligjin. Beçi refuzoi megjithatë të komentonte nisjen e një hetimi disiplinor kundër tij.
“Që mos të bëhem shkak për thyerje të një urdhri të dytë nuk kam asnjë koment për procedimin disiplinor,” shtoi ai.
Prokurorja Sonila Muhametaj hodhi poshtë zërat për frikë në përfaqësimin e dosjes së Shullazit, duke kontestuar fort procedurën e ndjekur.
“Unë interesat e shtetit ndaj këtij personi i kam përfaqësuar edhe më herët, në Krujë, dhe nuk do të hezitoja sërish të bëja detyrën time. Por ama vendimi duhet të jetë ligjor. Prokurori që ka hetuar çështjen duhet ta përfaqësojë atë dhe kjo është një praktikë tashmë e ndjekur,” tha Muhametaj.
Prokurorja tha se ndjehej e keqardhur për vendosjen e saj nën procedim disiplinor dhe për ndëshkimin me transferim në Prokurorinë e Pukës.
“Urdhri i transferimit m’u komunikua jashtë orarit zyrtar. Pikërisht për të më thënë se çfarë ligjesh kam shkelur dhe përse transferohem kam kërkuar takim me Prokurorin e Përgjithshëm, por nuk u mundësua,” shtoi Muhametaj.
Besim Hajdarmataj e cilësoi vendim të turpshëm ndëshkimin e prokurorëve dhe paralajmëroi kallëzim si për procedimin disiplinor ashtu edhe për vendimin e transferimit të tij në Pogradec.
“Urdhri i komandimit tim në Pogradec është i turpshëm, sepse në lidhje me këtë çështje unë kam mbajtur qëndrimin tim. Për hetimin disiplinor jo vetëm që nuk jam në dijeni, por do të bëj kallëzim penal,” paralajmëroi ai.