Dy familje nga Hani i Elezit po përjetojnë tmerrin që nga nata e mbrëmshme pasi dy familjarë të tyre, që të dy policë, pësuan aksident me ç’rast përfunduan në greminën buzë rrugës Kaçanik-Hani i Elezit.
Pasi që familjarët e tyre nuk u gjetën në këto 24 orë kërkim, ata iu janë drejtuar të gjithë shqiptarëve duke kërkuar ndihmën e tyre.
Sipas faqes zyrtare të Hanit të Elezit, familja Trena dhe Dashi u kanë kërkuar gjithë shqiptarëve që të dalin nesër në ndihmë për organet e shtetit që po kërkojnë familjarët e tyre.
“Ftojmë të gjithë qytetarët nga të gjithë trojet shqiptare që nesër (ditë e hanë) nga ora 9:00, të ju dalim në ndihmë për kërkimin e dy Policëve që humbën pas aksidentit të mbrëmshëm, shpresojmë në gjetjen e tyre sa më të shpejtë. Me Rrespekt Familja Trena & Dashi”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, shteti ka pezulluar kërkimet për sot me të rënë terri, për t’u vazhduar nesër në mëngjes. Sot gjatë ditës u zhvilluan kërkime edhe nga KFOR, mirëpo asnjë gjurmë nga të dy policët nuk është hasur.
Ndryshe, që rreth orës 20:45 pasi dy policët u vetëaksidentuan dhe përfunduan në greminën mbi 100 metërshe, nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Policia ka gjetur veturën dhe disa gjymtyrë të tyre.