Ka përshkallëzuar në situata tensioni protesta e opozitës para Parlamentit. Shashka, tymuese, kapsollë dhe djegie gomash para Kuvendit.
Ministri i Turizmit Blendi Klosi dhe deputeti Paulin Sterkaj janë sulmuar nga protestuesit e opozitës teksa futeshin në Kuvend, për t’ju bashkuar senacës plenare.
Në të njëjtën kohë, jashtë Parlamentit opozita është mbledhur në protestë kundër qeverisë. Forca të shumta të policisë kanë rrethuar Kuvendin për të ruajtur sigurinë dhe për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Edhe forcat e policisë janë sulmuar nga tubuesit të cilën hodhën shishe ndaj policisë.
Kjo seancë mbahet pas anulimit të seancës paraardhëse kur opozita protestoi një javë më parë. Tubimi i sotëm u organizua jashtë axhendës në përgjigje të vendimit të Konferencës së Kryetarëve, për ta mbajtur sot seancën e anuluar të enjten e shkuar.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje me megafon protestuesve të opozitës mbledhur para Kuvendit, që të ruajnë qetësinë dhe të shmangin dhunën. Ndërkohë, brenda Parlamentit ndodhen deputetët e mazhorancës, disa prej të cilëve u sulmuan nga simpatizantët e PD-së teksa hynin në Kuvend.
Policia po bën thirrje për qetësi për të garantuar edhe daljen e deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë, kur seanca të përfundojë. Kjo pasi, tubuesit kanë rrethuar të dyja hyrjet e Parlamentit.