Më poshtë do të mund të lexoni fjalimin e Keanu Reeves në “TLC Chinese Theatre” me titullin: “Ji falënderues”. Është një ndër fjalimet më të bukur, i cili do t’ju motivojë pamasë për të qenë falënderues dhe mirënjohës ndaj kujtdo që ju ka ndihmuar në jetën tuaj.
“Është një nder i madh të jem këtu mes jush, në këtë vend historik dhe magjik. Arsyeja se pse unë ndodhem në këtë festival. Është sepse punoj me artistë kaq të mëdhenj, sa jeni të gjithë ju këtu. Dhe nuk do të isha këtu, nëse nuk do të punoja me artistë kaq punëtorë, kaq të talentuar dhe kaq humanë sa ju.
Unë kam qenë pjesë e disa filmave, të cilat ju i keni vlerësuar, ndërkohë që mua ma kanë ndryshuar jetën totalisht. Jam falënderues ndaj të gjithë njerëzve që i kanë pëlqyer filmat e mi. Pa mbështetjen tuaj, unë nuk do të isha këtu.
E nisa rrugën time të aktrimit, kur isha 15 vjeç në Toronto, Kanada. Dua ta falënderoj nënën time, pasi kur e pyesja nëse është ok që unë të vazhdoj për aktor, ajo më thoshte gjithmonë: “Bëj çfarë të duash zemër, është jeta jote dhe mund ta jetosh si të duash”.
Kështu që, me makinën time të parë, kur isha 18 vjeç, udhëtova drejt Los Anxhelos në Kaliforni. Kisha vetëm një ëndërr, që besoj e kanë pasur të gjithë artistët në fillimin e karrierës së tyre. Doja të isha nëpër foto, nëpër postera, nëpër filma, seriale, kinema. Doja të isha i njohur për artin tim. I doja dhe i dua filmat, t’i shoh dhe t’i realizoj vetë. Kjo ishte ajo që më nxiti më shumë të luftoja për karrierën time si aktor.
Sigurisht që në rrugëtimin tim, kam pasur plot njerëz që më kanë ndihmuar pamasë. Isha i ri dhe ka pasur kaq shumë persona që më kanë mbështetur pamasë. Lista është aq e gjatë, saqë unë i falënderoj të gjithë pa i përmendur. Pasi jam i sigurtë se do harroj ndonjë prej tyre. Të njëjtën gjë dua t’jua kërkoj të gjithë juve.
Ndoshta nuk do ta keni mundësinë të mbani fjalime përpara një publiku kaq të gjerë. Siç po mbaj unë fjalim përpara jush. Por të gjithë e kemi mundësinë t’i falënderojmë personat e rëndësishëm, qoftë edhe në një takim, në një kafe me ta.
Falënderojini të gjithë ata që ju kanë ndihmuar, që ju kanë mbështetur, që ju janë gjendur pranë. Ju nuk e keni idenë sa shumë e ngroh zemrën një falënderim i sinqertë dhe i papritur. Falënderimi im për ju është shumë i përgjithësuar, por imagjinoni pak sa shumë do e gëzoni dikë të veçantë duke e falenderuar specifikisht për çfarë ka bërë për ju.
Jo vetëm që ai person do e kuptojë se i jeni mirënjohës, por do të bindet se dhe ai ju ka ju si shtylla të rëndësishme mbështetjeje në jetë.
Falënderoni pa ndrojtje! Lumturojini ata që ia vlejnë për ju. Jo gjithçka ka lidhje me anën materiale, fjalët janë më të rëndësishme se gjërat e blera me lekë e që një ditë do të prishen.
Faleminderit të gjithëve!”/(bota.al)