Kombëtarja shqiptare U-21 regjistroi një fitore në transfertë ndaj Zvicrës me rezultatin 1-2. Një ndeshje e luftuar deri në ‘frymën e fundit’ nga kuqezinjtë që falë këtij triumfi rihapin garën për kualifikim në Europianin “Sllovaki 2025”.
Në Lozanë, në stadiumin “Stade de la Tuilière”, lojtari që vulosi fitoren e madhe të Shqipërisë ishte Adrion Pajaziti, me dy supergolat e tij.
Trajneri Alban Bushi e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Zvicrës U-21: Klidman Lilo (GK), Ajdi Dajko (C), Feta Fetai, Tim Civeja, Arlind Rexhepi, Adrion Pajaziti, Stiven Shpendi, Paulo Buxhelaj, Elmando Gjini, Marcelino Preka dhe Usni Ismaili.
Zvicra U-21: Keller, Hajdari, Amenda, Wallner, Ottiger, Avdullahu, Jashari, Surdez, Dos Santos, Sanches, Muçi,
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe ishte skuadra e Zvicrës që gjeti e para rrugën e rrjetës. Surdez zhbllokoi takimin në minutën e 16-të. Shqipëria vendosi baraspeshën vetëm pas dy minutash falë një goli spektakolar nga Adrion Pajazitin. Një aksion model i ndërtuar nga Kombëtarja U-21, që u finalizua me gol nga mesfushori kuqezi.
Trajneri Bushi kreu zëvendësimin e parë në minutën e 20-të. Kapiteni Dajkoi doli nga fusha i dëmtuar dhe u aktivizua Elton Fikaj. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Fraksioni i dyti nisi me një tjetër ndryshim për Shqipërinë. Nga loja doli Usni Ismaili dhe u aktivizua Geralb Smajli.
Shqipëria mori avantazhin në minutën e 69-të me një tjetër gol spektakolar nga Adrion Pajaziti. Mesfushori kuqezi rikuperoi topi dhe me një goditje nga distanca shënoi golin e fitores dhe të dytin personal në këtë sfidë. Zvicra U-21 fitoi një 11-metërsh në mimutën e 85-të por portieri Klidman Lilo ishte i pakalueshëm dhe ndali goditjen e sulmuesit shqiptar Nikolas Muci. Në fund takimi u mbyll 2-1 për Shqipërinë.
Një fitore e madhe e kuqezinjve që shkojnë 13 pikë në Grupin E, po aq sa Finlanda dhe një pikë me pak se vendi i dytë që mbahet nga Zvicra. Shqipëria U-21 do të luajë edhe takimin e fundit në këto kualifikuese më datë 15 tetor ndaj Armenisë. Kuqezinjtë do të tentojnë fitoren e radhës për të shpresuar deri në fund te kualifikimi në Europianin “EURO Sllovaki 2025”.