Avokati Spartak Ngjela, ka drejtuar gishtin nga ish-kryeministri Sali Berisha sa i takon financimeve ruse. Ky i fundit ja faturoi skandalin Lulzim Bashës dhe vetë po mundohet të tregohet se nuk ka gisht, por sipas Ngjelës, Berisha është përgjegjës kryesor. Në një intervistë dje për mediat, avokati ka deklaruar se në kohën që është kryer financimi, Basha ka qenë kryetar “de juro” ndërsa Berisha kryetar “de facto” i selisë blu. Sipas tij, Basha nuk bënte asnjë veprim pa dijeninë e Berishës.
“Duhet të kuptohemi që në kohën kur është bërë financimi Basha ka qenë kryetar ‘de juro’ i partisë. Kryetari de facto ka qenë Saliu, atë e dinë edhe pulat. Ai ishte një i preferuar i Saliut, që e mori nga hiçi e bëri ministër, kryetar bashkie dhe kryetar partie. Ishte investim i Saliut. Ne dimë vetëm kaq që ish-kryetari është non grata dhe PD ka financim nga Moska. Edhe nëse ka financim dhe është i deklaruar nuk ka problem juridik. Ka problem politik, pse nga Moska. Nëse janë mbajtur të fshehta dhe tani po dalin në shesh si veprimtari të fshehta mund të ketë edhe probleme penale. Legjislacioni ynë është i paqartë.
Akuzat nëse ngrihen ka hapësirë si mund të ngrihen”, tha avokati. Ngjela deklaroi se ngjarja e re tregon që ka vazhdimësi për goditjen e pozicioneve anti-amerikane në Shqipëri. Megjithatë sipas tij, duhet të shihet nëse kemi apo jo vepër penale. “Financime edhe mund të ketë sepse ajo duhet parë në sistemin ligjor, si merren financimet e një partie, si denoncohen, si legalizohen. Ligji ynë është me probleme me sa kam unë parasysh.
Por duhet parë nëse është vepër penale apo jo. Duhet parë me shumë kompetencë. Ajo që vërej unë në këto momente është që financohen nga një shtet kundërshtar i Shqipërisë dhe Uashingtonit, kjo është e rëndë. Pyetja që ngrihet është kjo ç’e ka shtyrë PD-në të financohet nga Moska në një kohë që është armik shekullor i Shqipërisë. Të gjitha mblidhen dhe konvergohen në një pikë. Kjo është përgjegjësi e madhe ndaj kombit”, u shpreh ai. Më tej avokati ka shkuar dhe më larg. Sipas tij, ka media në vendin tonë që marrin para nga Moska dhe kjo duhet të hetohet. “Nuk mendoj që është çështje kaq e thjeshtë, megjithëse media po e merr seriozisht.
Por jo të gjitha mediat e marrin shumë seriozisht. Ka media që s’janë të pastra në funksion të Moskës. E kam si bisedë nga qarqe që dinë diçka. Por fakti që s’kemi emri s’kemi pse e zgjasim. Sipas burimeve të mia ka edhe media që financohen. Rëndësi ka ato që financohen mbajnë qëndrim pro shqiptar apo anti-shqiptar. Çështja duhet të hetohet. Do ta marrë SPAK apo jo, kjo has diskutime. Po e mori SPAK-u hetimi do jetë shumë i thellë. Pushimi i çështjes nuk përfaqëson gjë. Hapet sa herë del një provë e re.
Pyetja ime është do ta marrë SPAK në dorë që ta çojë hetimin deri në fund? Ta shikojmë. Me këtë paraqitje mediatike dhe seriozitet, duke u nisur nga DASH dhe sidomos nga VOA mendoj që do ketë hetim. Do riçelet hetimi”, nwnvizoi ai. Ndërkohë i pyetur nëse mund të shpallet Basha “non grata” nga SHBA, Ngjela tha se nuk mund të flitet me hamendje. Sipas tij, vetëm SPAK mund të hedhe dritë mbi këtë çështje.