Nga Adriatik Doçi
Pesëmbëdhjetë prokurorët e parë, të cilët do të kalojnë filtra për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, e konsideruar edhe si FBI-ja shqiptare, do t’i nënshtrohen një vëzhgimi të shumëfishtë, të vazhdueshëm dhe të pazakontë, përfshirë edhe familjarët e tyre. Objekt monitorimi do të jetë çdo lloji komunikimi i prokurorit të posaçëm dhe familjarëve të tij si dhe çdo lëvizje në llogaritë e tyre bankare.
Krahas kontrollit, prokurorët specialë do të kenë mbrojtje të posaçme për vete, familjen dhe pasurinë, gjatë detyrës, por nëse është e nevojshme, edhe kur të dalin në pension. Prokurorët specialë do të marrin gjithashtu pagë tre herë më të lartë se paga aktuale, ndërsa mund të marrin shtëpi me kredi të financuar nga shteti. Ata kanë gjithashtu garanci të forta për të mos lëvizur nga detyra, për shkak të ndërhyrjeve të mundshme nga jashtë
Kontrolli i bisedave
Fillimisht, para se të emërohen, prokurorët specialë duhet të firmosin një deklaratë me shkrim për heqjen dorë nga e drejta e tyre për privatësi në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare. Edhe familjarët e tyre duhet të firmosin të njëjtën deklaratë me shkrim. Ata kanë vetëm nga një telefon celular, vetëm nga një numër telefoni dhe vetëm një adresë poste elektronike. Ata nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik, në të kundërt provokojnë shkarkimin nga detyra.
Ndërkaq, një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të kryejë vëzhgimin periodik të të gjitha telekomunikimeve të prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, por edhe të të gjithë stafit të Byrosë së Hetimit.
Hetuesi që vëzhgon bisedat e prokurorëve specialë do të zgjidhjet me short. Oficeri përgjegjës, nëse ka dyshim të arsyeshëm se një telefonatë, mesazh apo komunikim me postë elektronike është provë e korrupsionit, nxjerrjes së informacionit, komunikimit me organizata kriminale, ndikimit politik apo çfarëdo veprimi tjetër që mund të jetë në shkelje të Kodit Penal, ai ia raporton atë një prokurori të posaçëm të Prokurorisë së Posaçme, i cili nuk është i përfshirë në shkelje.
Por, edhe vetë oficeri përgjegjës i Byrosë së Hetimit që monitoron komunikimet, është nën monitorim. Çdo muaj, një prokuror i posaçëm përzgjidhet me short për të shërbyer si prokuror i posaçëm i gatshëm, i cili drejton, kontrollon dhe monitoron oficerin përgjegjës në detyrë.
Kontrolli i pasurisë
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave cakton një punonjës të saj, në konsultim me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, për të mbikëqyrur llogaritë financiare të prokurorëve të posaçëm hetuesve dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Personi që kontrollon lëvizjet në llogaritë bankare ndryshohet një herë në dy vjet.
Ai duhet të sinjalizojë për çdo lëvizje të dyshimtë. Ndërkaq, të gjitha lëvizjet e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave mbikëqyren nga një oficer përgjegjës, konkretisht hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Oficeri përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave bashkërendojnë veprimtaritë e tyre dhe takohen, sipas nevojës, por jo më rrallë se një herë në muaj, për të diskutuar mbi veprimtari të dyshimta.
Oficeri përgjegjës i raporton prokurorit të posaçëm të gatshëm çdo informacion që mbështet një dyshim të arsyeshëm lidhur me çdo lëvizje të dyshimtë të parave. Nëse prokurori i posaçëm duket i përfshirë në veprimtarinë kriminale, atëherë oficeri përgjegjës i raporton cilitdo prej prokurorëve të posaçëm në
Prokurorinë e Posaçme, i cili duket se nuk është i përfshirë në transaksione të mëdha financiare, modele të pazakonta transaksionesh financiare, transaksione financiare nga burime të pazakonta apo kriminale apo në ekzistencë llogarish financiare, të cilat nuk janë deklaruar.
Siguria e prokurorëve specialë
Policia e Shtetit ngarkohet me ligj për të garantuar në mënyrë të vazhdueshme sigurinë e mjediseve ku do të punojnë prokurorët specialë (të posaçëm). Gjithashtu, sipas rasteve dhe me kërkesë të tyre, oficerë për sigurinë marrin në mbrojtje të veçantë prokurorët e posaçëm, familjet, banesat e tyre dhe pasuritë e tyre. Oficerët e sigurisë nuk zëvendësohen pa marrë paraprakisht miratimin e kryetarit të gjykatës, Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme apo Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Prokurorët e posaçëm, sipas nevojës dhe rrethanave, gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti edhe kur të dalin në pension. Dëmet e shkaktuara për jetën, shëndetin ose pasurinë prokurorit ose familjes së tij, shpërblehen nga shteti, në rast se këto dëme shkaktohen gjatë ushtrimit të funksionit të magjistratit ose për shkak të tij.
Paga e prokurorëve specialë
Prokurorët specialë do të marrin një pagë trefish më të lartë se paga aktuale. Nëse aktualisht, paga mesatare për prokurorët është nga 100 deri në 130 mijë lekë në muaj, paga e prokurorit të posaçëm do të bëhet nga 280 deri në 380 mijë lekë në muaj, duke u bërë njerëzit më të paguar në Shqipëri, madje mbi Presidentin dhe kryeministrin. Kjo vlen edhe për të gjitha gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar Vetingun. Skema e re a pagave ka nisur të zbatohet nga 1 janari i këtij viti.
Paga llogaritet në bazë të nenit 12 të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sipas nenit 12, paga bazë e prokurorit dhe gjyqtarit shkon sa 90 % deri në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri. Ata do të marrin edhe një shtesë për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. Gjithashtu, prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do të përfitojnë edhe 60 % të pagës.
Për ushtrimin e funksionit të kryetarit të gjykatës ose të prokurorisë, magjistrati përfiton 10 për qind shtesë page mbi pagën bruto fillestare të tij. Po ashtu, çdo vit, prokurorët apo gjyqtarët të cilët në vitin paraardhës kalendarik, në mënyrë të veçantë, kanë pasur vlerësimin më të lartë etik dhe profesional, marrin një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë. Por, nuk mbaron me kaq. Gjyqtarët dhe prokurorët do të paguhen për orët e punës jashtë orarit, do t’u kompensohet çdo shpenzim nëse punojnë në një rreth tjetër, do të paguhen për vështirësi etj. Ata do të përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë. /shqiptarja.com