Kjo është një intervistë e Rexhina Nanos dhënë për “Koha Jonë” më 1994, pasi i shoqi ishte futur në b.urg nga Berisha. Më pas gjërat rodhën ndryshe dhe Nano u martua me Xhoanën.
Përfundimisht 12 vjet b.urg për bashkëshortin tuaj. A shpresoni për një lirim të parakohshëm të tij?
12 vjet b.urg! Sa e llahtarshme, aq edhe e pabesueshme! Por njeriu e mendon që jeta në momente të caktuara mund të jetë e pamëshirshme. Ai e di se në jetë ndodhin edhe të papritura, prandaj njeriu mbetet krijesa më e kompletuar për t’i kapërcyer ato. Ne u njohëm shumë të rinj dhe u rritëm bashkë. Patëm një mundësi që nuk u jepet të gjithëve: duke u rritur me njëri-tjetrin, krijuam natyrshëm një lidhje të qëndrueshme dhe të fortë, për të përballuar një jetë me të gjitha të mirat dhe të ligat e saj.
Kështu, natyrshëm, ne ndjenim se ishim një në gjykim, në veprim, edhe kur nuk i shprehnim ato… Shumë gjëra i kuptonim pa ia thënë njëri-tjetrit… në heshtje. Po kështu, një ditë e kuptuam se do të ishim pranë një ndarjeje dhe … e pranuam të dy, përsëri në heshtje… Sot, ai në qeli dhe unë jashtë saj, ne përsëri ndjemë njëlloj, në heshtje, se nuk mund të vepronim ndryshe jashtë lidhjes sonë të krijuar aq natyrshëm! Ju më pyesni a mund të shpresoj në një lirim të parakohshëm të tij? Përgjigjen po jua jap përsëri në heshtje… lidhja jonë nuk mund të ndërpritet në mënyrë kaq artificiale.
Nano u shpall i pafajshëm dhe u dënua. A jeni e bindur në pafajësinë e tij. Po ndonjë fajësi a mendoni se rëndon mbi të?
“Fajësia” që filloi të kultivojë shteti kundër Fatosit, për mua ishte edhe vetë pafajësia. Këtë pafajësi e kam ndjerë që kur shihja emrin në gazetë në një radhë me bllokmenët, që në kërcënimet në rrugë e në tubime, me thirrjet histerike në kutinë e votimit, me deklaratat e zonjave e zotërinjve deputetë në Parlament, me heqjen e imunitetit dhe b.urgosjen e tij skandaloze!
Në të gjitha këto veprime, unë kam parë vetëm pafajësinë e tij. Nuk mund të jap përgjigje më të pranueshme ndaj vetvetes: një vit hetime, gjykime, rihetime, dëshmitarë, hetues, gjyqtarë, askush dhe asgjë nuk më tregoi fajësinë… A ka bërë ndonjë faj Fatosi?! I vetmi faj i tij është forca morale me të cilin prej një viti mbron pafajësinë!
Ç’kujtoni gjatë plot një viti të burgosjes së bashkëshortit tuaj dhe pse do t’ju mungojë qelia numër 47, siç jeni shprehur në një letër publike drejtuar atij?
Që prej një viti, shteti i egërsuar e ndëshkon gjithnjë e më fort, s’e lë të dëgjojë, të shikojë, të lexojë. Shteti ka një vit që merret me çështjen Nano duke “varfëruar” vetveten dhe duke harruar të jetojë. Ndërsa, mua më pasurojnë ndjenjat për jetën, më bëjnë të vlerësoj çdo minutë për ta vënë në shërbim të saj.
Unë dhe Fatosi, të dy, kemi një jetë. Ajo është njëherësh këtu jashtë dhe atje brenda, në qelinë 47… Prandaj them se do të më mungojë qelia 47. Por ne do të jetojmë përsëri, edhe kur kjo qeli të ketë një numër tjetër… kudo që të jetë… Do të kemi njëherësh një mendim dhe një qëllim: të fitojmë lirinë e humbur!
A ishit dje në miting dhe si e keni përjetuar atë? Po në TVSH a e ndoqët atë?
Mitingun e ndoqa në televizor e në realitet. Kameramani “i kujdesshëm” si gjithmonë dhe spikeri këtë herë me qetësi, foli për miting paqësor dhe shpërndarje njerëzish qetësisht. Ndërkohë rrugët e Tiranës për ditë me radhë ishin bërë blu dhe sirenat e policisë “këndonin”…
Por këto nuk përbënin objektin e kronikës. Kronika ishte vetëm për mitingun dhe ai u paraqit ashtu siç duhej… me vakësi, me boshllëk. Boshllëkun e ndjeva unë, mitingashja dhe e dini ku e pashë? Tek shteti që rrinte i gatshëm me shkop gome në dorë për të qëlluar edhe fëmijët.
Qetësia ishte në shpirtin e njerëzve që ishin mbledhur në shesh për ta kërkuar atë. Kohë më parë jeni drejtuar zonjës Berisha me një letër dhe a keni marrë përgjigje prej saj?
Është e vërtetë, i jam drejtuar zonjës Berisha duke e respektuar për rolin që i takoi të ketë… Nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe e kuptoj (përsëri në heshtje) se nuk mund të ketë asnjë përgjigje kur në mënyrë artificiale të emërojnë “First Lady”.
Tani jeni e detyruar të jetoni pa bashkëshortin tuaj. Ç’përbën për ju vazhdimësia e jetës në këto kushte?
Do të vazhdoj të jetoj njëherësh edhe me jetën e fëmijëve të mi dhe të atyre që më rrethojnë. Do të më duhet të shaj fëmijët kur gabojnë, t’i përkëdhel e t’i përgëzoj për punë të mira, të shoh si shkojnë me mësime, të ndjek si e kërkojnë dhe e gjejnë shokun apo shoqen, të zbuloj ç’mendojnë kur nuk e shprehin dot atë mendim, të di dhe pse s’e shprehin dot atë; do të më duhet të jetoj për gjithçka por mbi të gjitha do të më duhet të fitoj lirinë që ka humbur ajo pjesë e jetës e mbyllur në qeli.
Në këto që shprehni, jeni edhe romantike, edhe idealiste… Çdo të donit të ishit në të vërtetë?
Mund të më quani si të doni: romantike, idealiste, realiste. Për mua ka rëndësi që në shoqëri të kem një vend që më takon, jo pse jam thjesht një qenie e gjallë. Do të doja vetëm të isha njeri, asgjë më shumë!