Fatos Lubonja ka kritikuar ashpër qëndrimin e Ambasadës së SHBA-së ndaj protestave të opozitës. Në studion e ‘News 24’, Lubonja theksoi se në vendet e tjera, ambasadat amerikane nuk ndërhyjnë në çështjet e brendshme.
Lubonja ngriti pyetjet se përse Ambasada Amerikane në Tiranë nuk reagon kur në Shqipëri shkel ligjet Qeveria dhe vidhen miliona euro.
“Po kur qeveria nuk zbaton ligjet, përse nuk ndërhyjnë këta? Po vidheshin 20 milionë euro të ‘Astiri’, i keni parë të ndërhyjnë? Po për këtë Prokurori, a nuk mund të thuhet që nuk po vepron fare për këto raste?”,- pyeti Lubonja.
Lubonja kërkoi nga Ambasada e SHBA-së që të mos ndërhyjë në çështjen e protestave sepse e ka humbur rolin e arbitrit dhe është bërë palë me Qeverinë.
“(Ambasada e SHBA) Mos të mërzitet shumë se u shkruajtën disa parulla te shtëpia e Borchardt (Ambasador i OSBE) dhe kur vidhen 20 milionë euro nuk thotë asgjë. Më mirë të mos ndërhyjë më. Nuk janë në rolin e arbitrit, nuk shohin dhunën e strukturuar, por shohin dhunën e atyre që janë të dhunuar. Janë bërë palë”, theksoi Lubonja.
Analisti akuzoi edhe organizatat e tjerë ndërkombëtare në Tiranë se janë bërë palë me Qeverinë. Lubonja theksoi se opozita nuk ka përse dëgjon më sugjerimet e këtyre organizatave përsa kohë ato nuk janë të ekuilibruara.