Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi ka folur rreth hetimit të SPAK ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ai tha se hetimi i ish-kryeministrit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në këtë vend e cila sipas tij nuk ka nisur me seriozitetin e duhur. Sipas ish-kreut të SHISH është e çuditshme që hetuesit nuk i kanë treguar rëndësinë e duhur kësaj ngjarje, aq sa sipas tij, kjo duket e qëllimshme.
“Gjykatësit që janë caktuar për këtë problem e kuptojnë rëndësinë e çështjes. Berisha është politikani më i rëndësishëm në këto 30 vite i këtij vendi. Ai ka lënë shumë gjurmë në gjithë zhvillimet që kanë ndodhur në këto 30 vit. Kështu që përballë tij, ata duhet ta kuptojnë se efekti i këtij procesi është shumë i madh.
Unë nuk di detaje, por më duket shumë çudi që këta njerëz që kanë marrë përsipër një proces të tillë, nuk qenkan treguar serioz. Ata e kuptojnë se i gjithë reputacioni i Prokurorisë Speciale, i Gjykatës Speciale, apo edhe i tyre personalisht do vendoset në këtë proces.
Është procesi më i rëndësishëm, më i madh, kështu që të kenë gabuar kaq rëndë, s’qenkan profesionist domethënë. Më duket çudi që po ndodh diçka e tillë, sikur e kanë bërë kastile”, tha ish-drejtuesi i SHISH.