Kur e gjithë vëmendja politike është përqendriar te situata politike në Kosovë për çështjen e nxehtë të “korrigjimit të kufijve”, reagime ka patur edhe nga opozita shqiptare. Por në një intervistë për gazetën “SOT” ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi ka shpjeguar qendrimin që po mban Sali Berisha në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, ish-Kryeministri është një filo serb që po punon për ta. Klosi gjithashtu shton se edhe vrasja e Remzi Hoxhës ka ardhur për shkak të lidhjeve mes Berishës dhe Millosheviçit.
-Zoti Klosi, ditët e fundit është hedhur një ide nga presidenti i Kosovës për rishikim të kufijve me Serbinë. Si e shihni këtë propozim të Thaçit?
E papritur ishte edhe për mua. Ne dimë që janë bërë bisedime që nuk kanë qenë të suksesshme, që janë shtyrë dhe papritur dëgjuam Presidentin Thaçi që tha se mund të bëhen edhe korrigjime kufijsh. Më duket interesante të them të drejtën në kuptimin që nuk është bërë deri tani një gjë e tillë. Unë do të doja që këto bisedime që po bëhen tani mes Serbisë dhe Kosovës të ishin bisedime që bëhen jo për të zgjidhur përfundimisht të gjitha problemet që kanë të dyja palët me njëra-tjetrën, por për të zgjidhur problemet kryesore. Natyrisht, për sa kohë që bëhen bisedime, kompromis kërkohet. Nuk mund të shpresohet kurrë që midis dy vendeve, aq më shumë tradicionalisht armiqësore që problemet të zgjidhen duke lëshuar njëri dhe duke përfituar tjetri. Çdo rezultat që shpresohet t’i rezistojë kohës do jetë rezultat i një kompromisi.
Sigurisht mbase edhe kufijtë janë pjesë e këtij kompromisi për sa kohë që është një zonë e Kosovës, Mitrovica Veriore ku ka më shumë serb dhe serbët po ngulin këmbë për një farë autonomie që praktikisht nëse aprovohet, ajo do të jetë një ndarje reale nga Kosova. Kështu që mbase edhe ky mund të jetë një opsion. Megjithatë mua më ka bërë shumë përshtypje reagimi shumë i fortë me thënë të drejtën. Reaguan lloj-lloj analistësh dhe patriotësh. Pati shumë reagime dhe më shumë kam përshtypjen që njerëzit kanë merakun që të nxjerrin veten e tyre në këtë punë, sesa të diskutojnë konkretisht për problemin. Kur hidhet një ide nuk duhet keqinterpretuar që në fillim dhe nuk duhet vënë përpara sulmeve pa asnjë lloj diskutimi. Bisedimet, marrëveshjet, bëhen mbi bazën e opsioneve që hidhen për diskutim. Tjetër gjë pastaj sa realizohen. Nuk e ka në dorë as Thaçi, as Presidenti i Serbisë që të vendosë për këtë punë. Ata do hedhin opsione, do diskutohen, në fund do të vendosin Parlamentet, do të vendosë qeveria. Nuk është një gjë që e thanë ata dhe e vendosën dhe “o burra t’i turremi”. Unë kështu e quaj këtë problem.
-Ditët e fundit është vënë re se SHBA-BE nuk e kanë kundërshtuar këtë ide, mendoni se fshihen ndërkombëtarët pas idesë për ndryshim kufijsh?
Edhe mundet. Unë kam dëgjuar që gjermanët p.sh., janë shprehu kundër. Vetë BE si institucion e ka quajtur një opsion të mundshëm. Edhe mundet që pas idesë së Thaçit të fshihen ndërkombëtarët. Shiko, unë e thash në fillim dhe nuk e thash kot që ideja erdhi pak papritur dhe nuk ishte diskutuar. Kjo që erdhi papritur nënkupton që dikush i ka shtyrë. Ata të dy sigurisht që janë personazhe shumë të rëndësishëm, qoftë Presidenti i Kosovës, ashtu edhe i Serbisë. Por fakti qëndron tek ajo që kjo ide deri tani nuk diskutohej fare dhe papritur u hodh në diskutim duke qenë një gjë shumë e rëndësishme. Për të gjitha gjërat e tjera nuk u ngritën analistët, patriotët, kurse ky problemi i kufijve është pak më delikat, duket sikur i prek më shumë njerëzit sepse mendohet sikur po lëshohen territoret.
Problemi i kufijve është një problem që i prek shumë njerëzit dhe u hodh papritur. Për këtë arsye them se edhe mund të fshihen ndërkombëtarët, amerikanët? Madje kam lexuar edhe komente për këtë punë ku shumë dyshojnë. Edhe mundet të jetë një gjë e tillë e vërtetë, politika amerikane në këtë fazë, Presidenti amerikan i pëlqen këto shpalljet e papritura dhe pastaj edhe tërhiqet. Kështu që mund të jetë. Një gjë do të kërkoja unë nga kjo histori: të bëhet transparencë.
Nëse do të vazhdojnë të jenë jo transparent dhe të mos japin detaje e hollësi, atëherë kështu nuk shtyhet. Presidentët nuk janë mbretër të Mesjetës që bëjnë diçka dhe pastaj i thonë popullit shiko çfarë kemi bërë, sa mirë e kemi bërë, etj. Nëse pretendohet vërtetë një marrëveshje që t’i durojë kohës dhe të japë një zgjidhje që të pranohet për shumë kohë edhe për brezat që do vijnë, duhet shumë transparencë.
Duhet që të gjithë të diskutojnë sepse sa më shumë njerëz të marrin pjesë, aq më mirë i bën problemit. Nuk e kuptoj çfarë sekreti ruhet sepse janë përballë dy armiq të vjetër që kanë dëshirë të merren vesh. Nuk ka kuptim që të ketë sekret nga kjo histori. Nuk është mirë që kosovarët ta marrin vesh nga shtypi serb se për çfarë është folur, çfarë është vendosur, etj. Transparenca do t’ia lehtësonte punën edhe Thaçit sepse do ta shpërndante përgjegjësinë. I kanë dalë shumë njerëz kundër brenda partisë së tij, kështu që më duket një eksperiencë e re dhe është vërtetë shumë interesante kjo që po ndodh.
-Si gjithmonë, protagoniste është bërë dhe Tirana, ku ka pasur reagime nga Berisha dhe LSI. Pse politikanët shqiptarë duan të ndërhyjnë në këto çështje?
Në këtë çështje sigurisht që edhe shqiptarët duhet të marrin pjesë sepse është çështje kombëtare, nuk është thjesht një problem i shtetit të Kosovës. Është pak më shumë sepse flitet se do të bëhet një ridefinim i kufijve do të bëhet mbi baza etnike. Unë s’e quaj fare normale sepse pastaj do të hapte probleme pafund, por do të vendoset një kufi i ri për kombin shqiptar. Por është temë delikate për sa kohë që nuk ka transparencë. Kështu që unë e quaj të ngutur çdo lloj prononcimi të fortë. Prisni ta thonë vetë ata, t’ua kërkojmë që të na e thonë, pastaj le të bëjnë koment të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këtë debat.
Nuk mendoj se reagimi i Berishës dhe i opozitës vjen vetëm për shkak të mungesës së informacionit. Përplasja e Berishës dhe Thaçin ishte pastaj një diçka personale dhe Thaçin nuk e pëlqeva në këtë rast sepse Berishën nuk e kam pëlqyer kurrë. Thaçi le të dalë dhe të thotë se si qëndron e vërteta, a janë amerikanët në valle që shohin se ridefinimi i kufijve do ta bëjë marrëdhënien Serbi-Kosovë më të qëndrueshme? Nga Berisha nuk pres asgjë. Ai gjithmonë ngutet sepse do ta quajë veten patriot.
Ai pretendon se ka një emër shumë të mirë në Kosovë meqenëse nga kosovarët është quajtur gjithmonë një figurë e rëndësishme dhe nuk do ta humbë këtë rast. Berisha ka hallin e pozitës së tij sepse me ato që ka bërë gjatë periudhës që ka qenë President dhe me veprimet që ka bërë ai është treguar filo-serb i hatashëm. Berisha nuk më bën asnjë përshtypje të them të drejtën, aq më shumë tani që nuk ka asnjë fuqi vendimmarrëse.
-Thaçi e akuzoi Berishën se ka strehuar Arkanin. Keni ju ndonjë informacion nëse ai ka qëndruar në territorin shqiptar?
Nuk mund të flasim për informacion. Unë kur u shpreha para disa ditësh tek juve thashë se për të shprehur një opinion për konfliktin e ish-Jugosllavisë dhe rolin e Berishës, nisem nga veprimet e tij sesa nga një gjë korrekte. Në fund të fundit, me veprimet e tij ai ndihmoi Serbinë, përfitoi ekonomikisht edhe vetë rrethi i tij sepse Shqipëria nuk është se përfitoi gjë, por qe kjo që ai nxori nga një situatë e vështirë Jugosllavinë. Nga kjo, unë vij në përfundimin që ai është mik i tyre. Nuk dua të hyj fare në detaje, jo kjo ngjarje, jo ajo ngjarje, nuk ka rëndësi fare sepse janë gjëra të largëta. Mjafton të shikosh veprimet që janë shumë të qarta dhe e merr mesazhin.
-Mendoni se vrasja e Remzi Hoxhës u bë për shkak të lidhjeve Berisha-Millosheviç?
Sigurisht, vrasja e Remzi Hoxhës, torturimi i tij lidhet tamam me këtë gjë. Pretendohej se ai dinte shumë gjëra dhe nuk i tregoi. Kaq.
-Një tjetër ngjarje sa i takon zhvillimeve në Kosovë është dhe Mbledhja e Rambujesë. Pse Berisha doli në atë kohë kundër këtij takimi?
Sepse nuk ishte ai që kontribuoi në asgjë. Nuk ishte në pushtet në atë kohë. Ai vuan nga protagonizmi. Po të kishte qenë ai presidenti i vendit ose kryeministri i vendit, mbase një qëndrim tjetër do të ishte mbajtur. Kjo është njëra. Për sa kohë që të dyja palët, edhe sikur ta akuzojnë sot Berishën që serbët nuk e nënshkruan, me qëndrimin e tij ai në një farë mënyre kërkonte përkrahjen e qëndrimit të serbëve dhe ata nuk nënshkruan. Por kryesorja unë them që ishte se ai nuk ishte protagonist fare në atë histori dhe ai e vuan këtë gjë. Nëse ai nuk është pjesë e vendimmarrjes në një çështje, ai vetëm kundërshton dhe hedh poshtë. Ndërkohë është edhe kjo që Berisha gjithmonë ka bërë lojën e serbëve. Serbët ishin të vendosur që Rambujeja të mos ishte e suksesshme dhe për mua është meritë e kosovarëve që ata firmosën në Rambujevë edhe pse Berisha i anatemoi, e kundërshtoi këtë gjë dhe e quajti kurth.
-Në vitet 1998 thuhet se kanë ndodhur një sërë vrasjesh në territorin shqiptar. Ju ishit kreu i SHIK në atë kohë. Keni dijeni mbi vrasjen e Ilir Konushevci, i cili ka qenë një ndër themeluesit e UÇK dhe të logjistikës së saj dhe mjekut tropojan Hazir Mala, i cili po i shoqëronte autoritetet e UÇK për në Kosovë?
Unë kam qenë në krye të SHIK për këtë punë. Ata ishin luftëtarë të UÇK që merreshin me furnizimet dhe atyre iu bë një pritë dhe aty ngelën të vrarë. U hetua për këto dy ngjarje. Ata po transportonin, iu dolën përpara njerëz të cilët iu rrëmbyen edhe armatimet që transportonin. Natyrisht ishte koha kur akoma nuk ishte organizuar mirë ky problem dhe njerëzit e UÇK e bënin këtë transport me një frikë shumë të madhe. Në atë kohë dihej si ishte, rrugët ishin të rrezikshme, aq më shumë kur lëvizej natën dhe pa drita. Ajo është një ngjarje e rëndë. Ne u morëm me atë punë, por problemi nuk shkoi deri në një proces gjyqësor të vërtetë. Nuk ka kuptim që përfundimet që arritëm neve t’i bëjmë publike për sa kohë që s’u bënë publike në gjykatë, e që ata që kishin përgjegjësi të mbanin përgjegjësi.
-A ka penguar Berisha luftën në Kosovë?
Jo, nuk kishte mundësi ta pengonte. Ai e pengoi me qëndrimin e tij që mbajti ndaj UÇK në fillim apo me qëndrimin në lidhje me Rambujenë. Në atë kohë Berisha ishte në opozitë dhe si të thuash nuk ishte në pjesën vendimmarrëse, por prapë fjala e tij dëgjohej nga të tjerët. Ai ishte mik me të mëdhenjtë e Republikës së Kosovës, kështu që fjala e tij kishte vlerë. Por ata nuk ishin pjesë e luftës, ishte UÇK me të cilën Berisha nuk kishte lidhje.
-Hashim Thaçi ka folur po ashtu se Berisha ka pasur takim me Bin Laden. Keni ju informacion?
Jo, jo. Nuk ka asnjë rëndësi. Është një gjë shumë e largët për Shqipërinë. Tani na mbetet vetëm që të lyejmë Berishën me bojë të zezë. Bin Laden është një njeri që ka qenë mik i amerikanëve, ata e bënë të rëndësishëm, u prish me ta, u bë edhe për neve armik i madh. Mund të diskutohet edhe kur e ka takuar Bin Laden: kur shkonte mirë me amerikanët apo kur ishte armik? Ky është një diskutim që e ngatërron problemin.