Për shumëçka është pyetur Rama në intervistat e dhëna dhe për shumëçka është përgjigjur. Ama, diçka mbetet mister, si te paketa e pyetësorit, pavarësisht se cila media ia ka ofruar, e si te ajo çfarë ka ndodhur në terren; bëhet fjalë për një galop të lojrave të fatit, ku përfshihen edhe lokalet e basteve sportive, një fenomen krejtësisht i pashpjegueshëm në raport me yryshin e filliqeverisjes së tij me të ashtëquajturin “Fundi i Marrëzisë”, e po ashtu me mesazhet e tij në fushata elektorale e jo vetëm, duke shënjestruar bixhozin e lojrat e fatit si një të keqe të rëndë sociale, sidomos për rininë.
Mister pra fakti që nuk pyetet asnjëherë, e mister se si po lulëzojnë ato nën qeverisjen e të vetmit njeri në më shumë se 25 viteve tranzicion që e ka artikuluar qartë të keqen e bixhozit, ku dhe bastet sportive aty futen. Para tij, askujt nuk ia ka ndjerë për këtë “bombë” sociale.
Duke njohur stilin e tij sofist në mbrojtjen e vetvetes, punëve që bën por me tis dështimi, me gjasë do mund t’ja gjente një bisht edhe kësaj çështjeje, më saktë këtij paradoksi ulëritës nën qeverisjen e tij, që gjithsesi nuk është i vetmi. Por edhe kjo mbetet mister; se si do ishte ky sofizëm, si do ndërtohej dhe si do servirej shpjegimi për ta përligjur boom-in e lojrave me fatin.
Lojrat e fatit janë një lloj Lazarati; pra një e keqe që qarkullon shumë para. Dhe mos qoftë e thënë se kjo që po ndodh është dhe një lazaratizim i tyre; pra jepet një goditje diku ndaj së keqes, për ta lënë atë të lulëzojë diku tjetër, mjaft që paratë të mos humbasin, të jenë aty, me një të keqe që thjesht ndërron vend dhe stil ekzistence. Nuk është vepruar përputhshmërisht kështu me lojrat e fatit, por thelbi ngjan: pas “fundit të marrëzisë” erdhi dhe rifillimi i saj.
Është ndoshta prej atyre mistereve që duhet të shpjegojë dhe një të madh fare: pse Rilindja e ka asfiksuar gati totalisht entuziazmin shoqëror se Shqipëria mund dhe po bëhet. Shqipëria ka kaluar shumë kriza, por këtë kurrë; as në vitin e mbrapshtë ’97! /tesheshi.com/