Ai fundmarsi në Tremont st. në Boston, Ma. të SHBA do të mbahet mend gjatë. Jo vetëm nga shqiptarët në breza, por edhe nga vetë amerikanët dhe media, bibliotekat e historia serioze e atdheut të dytë të emigrantëve. 26 vjeçari Fan Noli sapo ishte dorëzuar prift.
Dy javë më pas, jep Meshën e Parë në Gjuhën Shqipe. Në vigjilje të Pashkëve! Pak ditë më vonë, në Kishën e Shën Gjergjit, do të gurgullonte ligjërata e parë panegjerike për Skënderbeun, nga goja e njeriut që më vonë do të etiketohej paradoksalisht si “bolshevik”.
Në një kohë kur deklaronte se “S’kam më as nge, as qejf, as takat për politikën, këlliçi im politik është varur në muze dhe nuk del s’andejmi kurrë”. Ky shqiptar i madh në dituri e atdhetari, pasi ishte përjashtuar nga matura e gjimnazit si organizator i një greve, në moshën 22 vjecare filloi shkrimet publicistike që polemizonin me shtypin grek. Por ai polemizonte edhe me majën e gjilpërës.
Madje arriti të përkthejë në greqisht veprën programatike të Rilindjes sonë Kombëtare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” të Sami Frashërit. Në Amerikë punoi deri punëtor në një sharrë druri ! Dhe pastaj si redaktor, korrektor e deri shpërndarës i gazetës së parë shqiptare “Kombi”. Pseudonimet Theofan Mavromati, Ali baba Qyteza, inicialet ABQ etj, u bënë të dashur për bashkëatdhetarët e tij. Idetë liridashëse dhe notat kryengritëse nëpër shkrime; shoqërimi për 3 muaj i patriotit të shquar Bajo Topulli dhe botimi i librit të parë “Izraelitë dhe filistinë”(dramë në tri akte); themelimi e drejtimi i Shoqatës “Besa-Besë” etj, e kishin bërë me krahë drejt majave të shqiptarisë.
Mesha e Parë në Shqip mbeti një nga kulmet e tij patriotike. Dora e Konicës nuk u mpi aspak, mori penën e shkroi: “Dita që meshoi për të parën herë, është një ogur i bardhë në udhë të përparimit tonë. Dhe as e harrojmë, as mund të lemë të tjerët të harrojnë !”. Më tej botoi librin e parë të liturgjisë në gjuhën e nënës dhe numrin e parë të gazetës “Dielli”, por mban edhe një ligjëratë solidariteti me kryengritësit e Kosovës, udhëhequr nga Isa Buletini, dy vjet para Shpalljes së Pavarësisë…
Jo rastësisht i kujtuam këto pak episode gjurmëlënëse gjatë javës së fundit, Java e Madhe e Pashkëve. Po ç’farë ndodhi në Selanik, fiks 115 vjet pas ngjarjes në Boston ?
Për herë të parë u mbajt Mesha e Parë Ortodokse në Gjuhën Shqipe! Edhe këtë ngjarje jo të vogël emancipuese, emocionuese e pse jo frymëzuese, në Shqipërizën tonë sikur e mbyti Polit(h)ika pa moral. Kjo shushamë irrituese është kthyer në terror të pashembullt psikologjik e social, duke u gdhirë e ngrysur nën bombardimin e kronikave egërshane politike e të atyre me gjyqe, me krime, aksidente e veprimtari policore!
Media vetë zien e përpëlitet kryesisht brenda Unazës kryeqytetase dhe pret gojëhapur kasetat e gatshme të partive politike(?)…Dhjetra emigrantë shqiptarë të Selanikut, ortodoksë e myslimanë, ishin veshur si për festë jo të zakonshme(toleranca e famshme botërore e mëmëdheut tonë!). Bashkë me fëmijë, nipër e mbesa që do të kungoheshin për herë të parë, mbushën Sheshin Ippodromiu 2 para Kishës së Shenjtorëve Kostandini dhe Elena.
Kjo ditë e paharruar hyri denjësisht në historinë e emigracionit shqiptar. Dihen tashmë ulje-ngritjet e marrëdhënieve shtetërore të dy gjitonëve shekullorë. Dihet kalvari torturues i refugjatëve fatgremisur nëpër male, fusha, fshatra e qytete. Por dihen ama edhe integrimet progresive të mjaft shqiptarëve në ekonominë helene, në Arsim, Kulturë, Shëndetësi e gjetkë.
Mbi 3 dekada drithëruese e mbijetese me djersën e ballit, përballë politikave uloke e marroke në të dyja vendet. Por popujt e gjejnë gjuhën e komunikimit njerëzor më shpejt e më mirë se Qeveritë që vijnë e shkojnë, qoftë në punë e në shkolla, në miqësira e krushqira, në gëzime e hidhërime. Ndërsa intelektualët e profesioneve të ndryshme, krijuesit e artistët, veprimtarët e qytetëruar dhe sportistët etj, mbajnë ndezur e plot dinjitet emrin e kombit të tyre të lashtë në të dyja anët e kufirt gjeografik e historik. Fjala vjen, komuniteti shqiptar i Selanikut ka zgjedhur në krye të tij pedagogun e njohur të universitetit grek, Luan Zyka. Ky vlerësim, vizion e besim, po duket sheshit gjithnjë e më tepër.
Të ndjehesh i barabartë midis të barabartëve, nuk mjaftojnë vetëm thirrjet e banderolat në mitingje shoqatash e sindikatash. Njerëzit e ditur u japin frymë dhe arritje reale. Konkretisht, Luani arriti të takohet posaçërisht me Mitropolitin e Selanikut, zotin Anthimos, 90 vjeç. Një takim e prezantim jo dosido.
Një bisedë mirëkuptuese jo e shkurtër, pa paragjykime e prapagjykime të mbrapshta, hapur e pa dredhira, pa kurthe fjale a përtypje dhëmballe, pa provokime politike e fetare. Kuvendim i kulturuar e i qëruar nga nacionalizmat primitivë ku zakonisht fshihen matrapazët, horrat e xhambazët ekonomiko-financiarë, gjoja në emër të “interesave kombëtare”.
Pra, nuk është e thjeshtë të imponohesh me kulturë e qytetari, me argumente mbushamendëse e pa kurrfarë fodullëku ballkanik, bosh e pa bereqet. Të jetosh e të punosh gati 40 vjet në Greqi, si Luani intektual, flet shumë.
Ai e njeh mirë mentalitetin, zakonet e traditat vendase. Di edhe si t’i shpalosë me zgjuarsi e modesti. Kjo është “trimëria” e kohës së sotme, të dialogosh e të bindësh tjetrin me fakte, analizë të paanshme e pa britma militante. Në atë takim edhe minuti i fundit foli jo pak: Mitropoliti 90 vjeçar, u ngrit nga karroca (rrallë kishte ndodhur kështu), i dha dorën dhe i tha vetëm kaq :”-Kryetar, vazhdoni përpara ! Ke bekimin tonë…”.
Kisha e Shën Konstandinit dhe e Elenës, në jetën e saj kurrë nuk ka pritur e përcjellë aq emigrantë shqiptarë sa dita e Meshës së Parë në Gjuhën Shqipe. A e dini cili prift e realizoi shqip këtë Meshë të paharruar ? At Artem Cici nga Nivica e Sarandës ! “Është njeri i mirë e me zemër të madhe”,-më tha Andrea në Muzeun Historik Kombëtar. “Kemi qenë bashkë me studime në Universitetin e Athinës. Ishte ekselent, më i mirë nga të gjithë.
Po më gëzon shumë me këtë lajm të gëzuar”…Ndërsa shikoj një foto të Luanit sypërlotur e qafë për qafë me priftin shqiptar, pas përfundimit me sukses të Meshës së Parë Shqip. Lotë gëzimi ! Emocione të natyrëshme e kuptimplote përjetoi edhe Ambasadorja jonë në Greqi, e cila kish ardhur enkas nga Athina(nga nëna i ka rrënjët në Lekël të Tepelenës, mbesa e mikut tim Thimi Suli). Ishin të pranishëm edhe pedagogë grekë, kolegë të Luan Zykës.
Por edhe nga fisi i Hasan Prishtinës dhe nga Shkupi. “Ne nuk jemi Fan Noli, por ndriçohemi nga drita e pashuar e atij shqiptari të madh,-theksoi para të pranishmëve në Kishë, Kryetari i Komunitetit Shqiptar të Selanikut.-Edhe kjo që po ndodh sot, është gjurmë emancipimi e dukëshme te shoqëria greke. Zbehen e ikin paragjykimet dashakeqëse që mbajnë varur mjegulla të grisura errësire nga e kaluara…”. Shumica e emigrantëve tanë atje, paskan krijuar edhe një “Bankë Gjaku”. Përshembull, pas aksidentit të tmerrshëm hekurudhor së fundi (ku humbën jetën edhe 6 shqiptarë), dhurimi i kësaj “banke” bëri jehonë mjaft pozitive në median shtetërore e private të Greqisë.
Ndërsa unë kujtoj shpesh ditët e para të fillimit të Luftës në Kosovë. Kujtoj mitingjet shqiptare të papërsëritëshme në zemër të kryeqytetit grek. Kujtoj mbylljen e pabesë e të menjëherëshme të gazetës shqip “Zëri i Emigrantit”, ku punova me shpirt e pasion të veçantë sakrifikues që të dilte sa më cilësore. Dhe u shit gati çdo kopje ! Kujtoj presionet dhe kërcënimet e liga fizike e financiare të botuesit minoritar që hiqej shpesh si e persekutuar keqazi në Shqipëri(kishte punuar në Drejtorinë e Arkivave të Shtetit(?!).
Kujtoj ftesën e shpejtë nga Qeveria Majko dhe dërgimin tim të posaçëm për Median e Informacionin në Kukës (Ruaj një fletore të madhe me shënime plot të pakonsumuara). Kujtoj edhe prononcimet publike të Luanit me shokë, përkrah mikut tim arvanitas trim e i mencur, Aristidh Kola, që iku befas në atë botë te Spitali popullor “Evangjelismoi”, në rrethana të dyshimta…Dhe dëgjoj në video zërin e fjalët shqip të emigrantëve tanë në Selanik, teksa shoqërojnë Meshën e Parë Ortodokse ! Kisha e njohur dhe Sheshi “Ippodromiou” folën shqip atë paradite prilli të shënuar, 115 vjet pas ligjërimit të parë të Nolit në Boston…Një nga dëshirat e themeluesit të Kishës Ortodokse Shqiptare ishte që ta qanin me ligje, me ligje labe: “Shpërblimi më i mjaftë do të jetë një këngë prej labësh dhe labëreshash kur të vdes”. Ndërsa një dorëshkrim i orëve të fundit (gati i panjohur, tekst lutjeje) u gjend në një sirtar të komodinës së tij:
“Kur ju, o mbret i gjithë qiejve, do të vini në tokë, me fuqi e lavdi, e tërë bota do të dridhet nga frika, lumenj zjarri do të rrjedhin përpara gjykatores së tmerrshme, librat atëhere do të hapen dhe mëkatet e fshehura do të zbulohen. Oh, shpëtomë nga zjarri i përjetshëm dhe i pashuar dhe vendosmë në të Djathtën tënde në Parajsë, o gjykatës i drejtë dhe i mëshirshëm !”. E tha bukur një miku ynë studiues:-C’ishte kjo lutje e Nolit në ditët e fundit të jetës ? Thirrje për t’i lehtësuar vuajtjet apo ndjesë për t’i falur mëkatet ? Një gjë është e vërtetë, që ai nuk e fsheh, dëshirën të shkojë në Parajsë…
Lum ata që nuk e mohojnë Gjakun dhe Gjuhën e vet ! Sepse në fund të fundit, tapia e një vendi janë Gjuha dhe Njerëzit…