Festivali ‘Astroworld’ i Travis Scott rezultoi një tragjedi e vërtetë, ku 10 njerëz humbën jetën pasi u shtypën nga turma dhe një djalë vetëm 9-vjeçar humbi jetën më vonë në spital si pasojë e plagëve të shumta.
Familja e këtij të fundit ka refuzuar një ofertë që Travis Scott bëri për të paguar funeralin e djalit.
“Oferta e klientit tuaj është refuzuar. Nuk kam dyshim se zoti Scott ndjen keqardhje. Udhëtimi i tij përpara do të jetë i dhimbshëm”, i tha avokati i familjes, Bob Hilliard, avokatit të Scott, Daniel Petrocelli, në një letër të publikuar nga ‘Rolling Stone’.
“Ai duhet të përballet dhe shpresojmë të shohë se ai mban një pjesë të përgjegjësisë për këtë tragjedi”, tha ai më tej.
Ezra Blount, i cili ishte nga Dallasi, ishte në mesin e 10 personave që vdiqën si pasojë e lëndimeve të pësuara kur turma doli jashtë kontrollit në festivalin e 5 nëntorit në NRG Park në Hjuston.
Ai vdiq në Spitalin e Fëmijëve në Teksas më 14 nëntor, pasi u vendos në një koma të induktuar, ndërsa organet e tij dolën jashtë funskionit. Funerali i Blount u bë në Teksas më 23 nëntor.
Qindra persona e kanë paditur Travis Scott pasi e akuzojnë se ai nxiti turmën të shtyhej drejt skenës, gjë që rezultoi në tragjedi. Po ashtu, shumë pamje qarkulluan ku shihej Scott që nuk e ndali performancën, pavarësisht se u lajmërua nga publiku se dikush kishte humbur jetën mes turmës.