Mesa duket, cirku shqiptar është ‘në krizë’! Pavarësisht se cirku mund të jetë një nga format më interesante të argëtimit, të shpërqendrimit nga rutina e përditshme, apo faktit se çmimi i një bilete për të ndjekur një shfaqje, mund të arrijë vlerën e një kafeje të shoqëruar me ujë, duket se interesi ndaj tij po bie çdo ditë e më shumë.
Ndoshta, shqiptarët ‘nuk e kanë në gjak’ cirkun, ose janë ‘të ngopur’ me cirkun e përditshmërisë. Sipas publikimit më të fundit të bërë nga Instat lidhur me statistikat e kulturës, 3 mujori i tretë i këtij viti, ka ndjerë një rënie të theksuar të spektatorëve, saktësisht, 89.7% më pak se për të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në periudhën korrik- shtator 2018, cirku ka pasur 9 mijë e 721 spektatorë. Si spektatorë, bënë një rënie spektakolare gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2019, duke e zbritur numrin nga 9 mijë e 721, në vetëm 1 mijë ‘dashamirës’ së cirkut.
Sipas Instat, edhe vetë numri i shfaqjeve në cirk ka rënë, duke kaluar nga 14 që ishte në T3 2018, në vetëm 6 për T3 2019. Megjithatë, a mundet që 8 shfaqje më pak, të përkthehen në 8 mijë e 721 vizitorë më pak?!
Instat po ashtu, në raportin e fundit mbi kulturën, tregon se edhe vetë numri i shfaqjeve kulturore për këtë periudhë të vitit ka rënë me 11.6%. Numri total i shfaqjeve për korrik- shtator 2019 është 61.
Për shkak të mungesës së shfaqjeve në Teatrin Kombëtar Popullor, pjesëmarrja mesatare e spektatorëve për shfaqje, në të gjithë institucionet kulturore, gjatë tremujorit të tretë të 2019 ka pësuar një rënie në masën 48,6 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.(scan)