Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në kallëzimin e depozituar nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, bëhet fjalë për kontratën e partneritetit publik privat që i mundëson kompanisë private ndërtimin e Kullave në lulishten pranë Bashkisë së Elbasanit.
Sipas Partisë Demokratike, me veprimet e paligjshme të kryetarit të Bashkisë Elbasan, është favorizuar kompania private, duke falur tokë publike për ndërtimin e Kullave në qendër të qytetit të Elbasanit.
“Nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme, Kryetari i Bashkisë Elbasan, ka dëmtuar interesin publik, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik Bashkisë Elbasan, në të paktën 8.3 milionë euro, duke konsumuar elementet e veprës penale “shpërdorim i detyrës”, thuhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.
Në kallëzimin penal, sipas PD-së provohet se nga zbatimi i kontratës së partneritetit publik privat Bashkia po përfiton vetëm 2648 m2 sipërfaqe të re ndërtimi, ndërkohë që duhet të kishte përfituar 14 560 m2. Në këtë mënyrë, institucioni i Bashkisë ka humbur një sipërfaqe prej 11 912 m2, ose rreth 8.3 milionë euro.