Ish-gruaja e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, Ksenija Vuçiç është përcjellë ditën e sotme për në banesën e fundit.
Mediat serbe raportojnë se varrimi i gazetares u bë sot, ku morën pjesë familjarë, miq dhe politikanë të shumtë midis tyre dhe vetë presidenti Vuçiç.
Fjalimin në varrimin e saj e mbajti Patriarku Porfirit, ku u shpreh se atë e njihte prej 20 vitesh.
“Ksenijën e njoh prej 20 vitesh. Ishim bashkë në një klinikë kardiovaskulare dhe asnjëri prej nesh nuk flisnim për gjëra kalimtare atëherë.
Folëm për kuptimin e ekzistencës, çfarë na mban në situata të tilla. Gjatë gjithë atyre dhjetë ditëve në klinikë, ajo më bëri pyetje që janë shumë më të qarta për të tani. Perëndia tani po e merr atë në krahët e tij,” tha ai.
Ndërkohë, në një postimnë rrjetet sociale, Vuçiç ka publikuar një tjetër mesazh lamtumire për ish-gruan e tij.
Vuçiq ka publikuar një video që paraqet një kolazh fotografish nga jeta familjare në të cilat ndodhen e ndjera Ksenija, fëmijët e tyre Danilo dhe Milica dhe vetë presidenti.
“Pusho në paqe dhe faleminderit përjetë për gjithçka,” shkruan ai krahas videos.
Kujtojmë, Ksenija Vuçiç ka ndërruar jetë të shtunën më 29 janar në moshën 56-vjeçare. Ksenija ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj dhe me të në atë moment ishte edhe djali i saj Danilo.
Ajo ka punuar si gazetare për mbi 30 vjet. Ksenija e filloi karrierën e saj në TV Studio B, ndërsa vitet e fundit ka drejtuar emisione në kanalet TV Pink.