Është e turpshme dhe e pajustifikueshme të dëgjosh një kryeministër të akuzoj median për gjobëvënie, kur vetëm gjatë qeverisjes së tij me apo koalicion, ka një rezultat spektakolar me të arrestuar dhe të burgosur duke nisur nga ministrat, për të mos përmendur pastaj kryebashkiakët, deputetët, drejtorët, apo ustallarët e hurit dhe litarit që i sillen përreth si satelit, e që sot po përpëliten dyerve të SPAK dhe priten të arrestohen në vazhdim.
E kujtoni Edi Ramën kur bënte “avokatin e djallit” dhe bërtiste nga studiot televizive, se sahati i inceneratorit i vendosur nga OSHEE lëvizte dhe se inceneratorët ishin vizioni, programi dhe qeverisja e Partisë Socialiste?! Por çfarë ndodhi disa muaj më vonë: vizioni, programi dhe qeverisja përfunduan brenda në qeli, bashkë me vizionarët dhe projektuesit, teksa hartuesit ja mbathën të tmerruar nga sytë këmbët dhe qeverisja u përpëlit për t’i mbushur mendjen, se me atë vizion që propagandonin pak muaj më parë, nuk kishin gisht!
E në fakt, ne të tjerëve… që nuk jemi media e oborrit na bëri pak habi, se si ka mundësi që një “zagari që i ke zgjatur dorën me vite të ta lëpij e të të sajdis, një herë kur ta kafshoi e bëre menjëherë armik”?! E quan gjobaxhi dhe batakçi, kur në fakt je ti e ca të tjerë si ti, që ke furnizuar me “karburant” makinerinë mediatike të gjobëvënies. Je ti që u jep tendera, je ti që u kërkon favore, je ti që u kërkon të heshtin e të bëjnë një sy qorr… sigurisht kundrejt haraçit, sepse asgjë nuk është falas në këtë botë. Pra nëse ka pagator gjobash, patjetër do ekzistojnë dhe gjobaxhinjtë! E ju e keni të lehtë të paguani, se bujaria juaj mbaron aty ku fillojnë lekët tuaja, jo të shqiptarëve!
Përshembull, a mund të na shpjegoi kryeministri, se si ka mundësi që për strehimin e refugjatëve afganë në hotelin “Prestige Resort” në Durrës, në pronësi të Irfan Hysenbelliut, qeveria pagoi jo më pak se 400 mijë euro në llogari të një “gjobaxhiu”? A mund të na shpjegoi kryeministri, se si ka mundësi numri 2 i Partisë Socialiste, Taulant Balla, pushon në hotelin e Hysenbelliut dhe rri darkave me të, në vend që të shpenzojë më shumë kohë me familjen, kur vetë ju ia keni ndaluar vartësve tuaj takimin me biznesmen?
Në foto kryeministri Edi Rama takon refugjatët afganë të strehuar në hotelin “Prestige Resort” në Durrës, në pronësi të Irfan Hysenbelliut
Në fakt, Ekskluzive.al disponon një tjetër informacion konfidencial, që Irfan Hysenbelliu, nuk e kalon dot vijën e kuqe që i kanë vendosur përtej oqeanit. Pra është pjesë e listës së zezë të vendosur nga SHBA, por a e dini ju zoti kryeministër arsyen pse? Motivacioni kryesor që i kanë dhënë biznesmenit të medias është se: Ka ushtruar ndikim në politikë dhe ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion! A mund të na thoni ju zoti kryeministër, për cilën politikë dhe qeverisje mund ta ketë vallë SHBA? A e dini ju zoti kryeministër se SHBA ka në listë të zezë dhe pronarë të tjerë mediash, këtyre të mëdha e kam fjalën, miqve të tu, që herë të krehin e herë të shpëlajnë… me të njëjtin motivacion si z. Hysenbelliu? Tani, nëse paska kaq shumë gjobaxhi vërdall, më vjen keq por duhet të biem dakort se dhe pagatorët qenkan të majmë. E nëse ju nuk u del rroga për të plotësuar nevojat tuaja, nga i siguroni paratë për të mbajtur makineritë e dizinformimit dhe gjobëvënies gjallë.
Nga ana tjetër zoti kryeministër duhet tu shpjegosh shqiptarëve, por edhe Gent Gazhelit, se evazioni fiskal nuk ka lidhje me drejtorinë e tij që janë Doganat, atë e mbulon një drejtori tjetër e quajtur e Tatimeve, në drejtimin e një drejtori tjetër, por dhe në qoftë e drejtë ankesa e drejtorit “qelibar”, më vjen keq ta pranoi por biznesmeni ka të drejtë! Mëposhtë gjeni faksimilet e Prokurorisë së Janinës për të gjithë personat në fjalë, të cilët cilësohen nga prokuroria e shtetit fqinj si grup i strukturuar kriminal dhe vjedhje e përsëritur e kryer në bashkëpunim.
Artur Sejati me detyrë aktuale, drejtor i hetimit doganor rezulton se është në ndjekje penale nga drejtësia greke, pasi në bashkëpunim me katër persona të tjerë janë ndaluar nga policia në 30 qershor të vitit 2016, teksa shoqëronin dy kamionë me mallra të grabitura në vendin fqinj. Përveç drejtorit të hetimit doganor, nën hetim janë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të doganave, Klandi Malaj, Mirel Beshiku dhe Elton Gishti. Mbi ta rëndojnë akuza të rënda si ajo e krijimit të grupit të strukturuar kriminal, vjedhje në bashkëpunim me shuma të rënda dhe kontrabandë. Për t’u theksuar është se në kohën e këtij krimi ai dhe tre të akuzuarit e tjerë ishin zyrtarë të doganave shqiptare.
Skandali thellohet edhe më tej në institucionin që drejothet nga Gent Gazheli, pasi me firmën e drejtorit këta zyrtarë të doganave janë promovuar në detyrë muajt e fundit. Klandi Malaj, nga specialist hetimi është emëruar në 20 prill të këtij viti përgjegjës i zyrës së Hanit të Hotit. Po në 20 prill të këtij viti Elton Gishti nga specialist hetimi është emëruar përgjegjës i zyrës mjaft të rëndësishme të sheshit të trageteve në Durrës. Ndërsa Mirel Beshiku me urdhër të Genti Gazhelit me 27 qershor të 2022 nga përgjigjes sektori të drejtoria e tarifës ka kaluar specialist tek zyra e mbikëqyrjes të magazinave fiskale në Fier.
Denoncimin me prova nuk e bëjmë as për t’i ardhur në ndihmë Irfan Hysenbelliut dhe as për të baltosur figurën e Edi Ramës, por gazetaria ka një mision… të vërtetën./Ekskluzive.al
Në foto faksimile nga Prokuroria e Janinës për arrestimin e 4 doganierëve të promovuar në detyrë nga Gent Gazheli, mbi të cilat rëndojnë akuza të rënda si grup i strukturuar kriminal dhe vjedhje e përsëritur e kryer në bashkëpunim