Manchester City zhgënjen sërish në Premier League, teksa në shtëpi barazoi 1-1 me Everton. Ndeshja nisi me ritëm të kënaqshëm, me skuadrat që u vendosën në kërkim të golit që në fillim.
Kampionët e Anglisë festuan pas 14 minutash lojë. Të besuarit e Guardiolës finalizuan me sukses një aksion me shumë pasime. Bernardo Silva dërgoi topin në rrjetë nga një pozicion shumë i vështirë, pas një asisti të Dokut.
Mysafirët nga Liverpool u përpoqën që të reagojnë dhe ia dolën mjaft mirë. Në të 36-tën, vendasit nuk larguan si duhet një top në zonë, aty përfitoi senegalezi Ndiaje, që me një të djathtë mposhti portierin Ortega.
Në minutën e 51-të, Manchester City pati shansin e artë për të kaluar në epërsi për herë të dytë në këtë takim, pasi Mykolenko shkaktoi 11-metërsh. Erling Haaland dështoi të shënonte nga penalltia, me Pikford që bëri heroin, duke i kuptuar krahun dhe duke i mohuar golin norvegjezit.
Në minutën e 70-të në lojë u fut Armando Broja, i cili mori vendin e Kalvert Levin. Sulmuesi kuqezi i dha freski repartit të avancuar më shpejtësinë që e karakterizon, duke dhënë kështu një kontribut në marrjen një pike në këtë transfertë të vështirë.
Me këtë rezultat, Manchester City renditet në vendin e gjashtë me 28 pikë dhe vlen të theksohet se nuk provon shijen e fitores që prej katër ndeshjesh në kampionat.
Broja me shokë janë në vendin e 15-të me 17 pikë.