Bashkimi Europian u ka dhënë ultimatum qeverisë dhe autoriteteve ligjzbatuese që të nisin luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta. Pak javë më parë Parlamenti Europian miratoi rezolutën për Shqipërinë, ku shumica e eurodeputetëve ranë dakord që në qershor të ketë hapje negociatash.
Por në këtë rezolutë janë dhënë dhe një sërë detyrash të tjera, që duhet të përmbushen deri në pranverë. Theksi vihet te lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta. Bashkimi Europian sheh me shqetësim faktin se si politikanët shqiptarë nuk janë të barabartë me qytetarët.
Për këtë arsye është kërkuar që të nisë goditja e korrupsionit në nivel politik dhe po ashtu kjo të shoqërohet me sekuestrime pasurish. “Vlerësojmë përmirësimet e kuadrit institucional për parandalimin dhe çrrënjosjen e korrupsionit. Bëjmë thirrje për të tjera përpjekje për reduktimin e korrupsionit në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, përmirësimin e klimës së investimeve dhe garantimin ligjor të investimeve.
Duhet theksuar se zyrtarët e lartë nuk duhet të përfitojnë trajtim preferencial në krahasim me qytetarët e tjerë. I bëjmë thirrje Shqipërisë të rrisë hetimet financiare dhe të vendosë të krijojë një sfond konfiskimesh të aseteve kriminale që rezultojnë nga hetimet kundër korrupsionit, si dhe të arrijë rezultate konkrete në luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave”, thuhet në rezolutë.
Më tej bëhet e ditur se ka ardhur koha që të dënohen dhe politikanë. Po ashtu BE kërkon statistika konkrete nga lufta ndaj korrupsionit. “Bëjmë thirrje për rritje të vëmendjes ndaj korrupsionit në nivel politik dhe atij publik-privat. Kërkojmë të dhëna dhe rezultate për hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimet finale në luftën kundër korrupsioni e krimit të organizuar, duke përfshirë dhe çështjet e nivelit të lartë”, thuhet në dokument.
Ngritja e SPAK dhe BKH
Një tjetër theks i Bashkimit Europian është vendosur te ngritja sa më shpejt e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në rezolutë ngrihet shqetësimi i zvarritjes së reformës në drejtësi dhe kërkohet të ngrihen sa më shpejt organet e reja. “Mirëpresim ndryshimet në ligj sa i takon luftës ndaj korrupsionit dhe kërkojmë ngritjen sa më shpejt të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar.
Bëjmë thirrje për rritje të mëtejshme në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe këmbimit të informacionit mes policisë e prokurorisë. Mirëpresim ligjin e vetingut në polici”, thuhet në rezolutë. Më tej bëhet e ditur se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme për hapjen e negociatave. Sipas BE, të gjitha reformat në vend dhe lufta ndaj korrupsionit varen pikërisht nga sistemi i drejtësisë.
“Theksojmë faktin se reforma në drejtësi është një kërkesë madhore e qytetarëve shqiptarë dhe parakusht për kthimin e besimit te rendi ligjor dhe institucionet publike. Ne përsërisim se reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe zbatimi i të drejtës së pronës, varen nga suksesi i procesit të vetingut dhe zbatimi i vendosur i reformës në drejtësi.
Ne mirëpresim progresin në rritjen e pavarësisë e profesionalizimit të gjyqësorit, por shprehim keqardhje për faktin se procesi i reformimit të drejtësisë mbetet i ngadaltë dhe i paefektshëm. Theksojmë se procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve ka dhënë rezultatet e para”, thuhet në rezolutë. Më tej një rëndësi i është kushtuar luftës ndaj krimit të organizuar, ku kërkohet të goditen bandat e armatosura.
Kliti Topalli