Trofeu i dytë nga rëndësia në futbollin kontinental do të vendoset mes Arsenalit, Çelsit, Valencias dhe Ajntrahtit të Frankfurti.
Janë këto 4 ekipet e mbijetuara në Europa Lig që kalojnë në fazën gjysmëfinale, në fundin e një raundi pa shumë surpriza. Arsenal fitoi edhe betejën e dytë ndaj Napolit, këtë herë 1-0, duke merituar kualifikimin. Rrjeta që vendosi sfidën në stadiumin San Paolo erdhi në pjesën e parë nga një goditje perfekte dënimi e Lakaset. Në këtë rast, portieri i Napolit mbeti thuajse i palëvizur.
Çelsi fitoi 4-3 ndaj Sllavias së Pragës duke argëtuar tifozët e pranishëm në Stemford Brixh, me një fitore të bukur por jo bindëse si ajo në transfertën çeke. Blutë shënuan dy herë me Pedro Rodrigez dhe Zhiru, e bashkë me autogolin e Sllavias e bënë një mision të pamundur mbijetesën në Europa Lig, pavarësisht ngushtimit të diferencave.
Valencia fitoi 2-0 derbin iberik ndaj Vijarrealit, suksesi i dytë në po kaq ndeshje që e bën të kalojë më tej. Rrjetat në stadiumin “Mestaja” erdhën nga Toni Lato dhe Guedes.
Një përballje emocionuese u zhvillua në Frankfurt mes Ajntrahtit dhe Benfikës, e vetmja përmbysje e materializuar në Europa Lig në këtë raund. Gjermanët kishin 4-2 në sfidën e parë, por u imponuan 2-0 në shtëpi, duke prevaluar me rregullin e rrjetave në fushë kundërshtare. Kostic dhe Rode ishin heronjtë e ekipit vendas.
Gjysmëfinalet janë Arsenal-Valencia dhe Eintracht Frankfurt-Chelsea, të cilat do të zhvillohen në 2 dhe 9 Maj, ndërsa finalja e madhe e Europa Ligës është programuar në stadiumin Olimpik në Baku të Azerbajxhanit në 29 Maj.