Disa ditë më parë, SPAK sekuestroi një pasuri me vlerë miliona euro, të një personazhi të njohur në botën e narkotrafikut ndërkombëtarë si bos droge, i cili mban 4 emra si: Pashk Rrapi, Anton Gjinaj, Pashuk Gjini dhe Pashuk Maloku!
I njohur tashmë si “Eskobari i Shqipërisë”, i cili paratë e trafikut të kokainës në Itali dhe Spanjë i ka investuar në pasuri të paluejtshme në vendin tonë, duke ngritur kompani me kapital miliona euro, Pashk Rrapi po vuan një dënim në burgun e Reçit, pas transferimit nga qelitë e burgut të Alicantes në Spanjë, ku ishte dënuar me 8 vjet e 9 muaj heqje lirie.
Ortak në trafik kokaine me të dënuarin Sulejman Fusha, vëllain e ish-prokurorit Petrit Fusha, tashmë zyrtarisht nën hetim prej muajit janar 2022l… ortak me “El Chapo-t” e Dubait dhe grosist droge në Shqipëri, mësohet për Ekskluzive.al, se Pashk Rrapi zotëron pasuri të tjera me vlerë miliona euro, të cilat i ka kaluar në emrin e të afërmve të tij, ku përfshihen krushqi, kushurinj dhe persona të rrethit të ngushtë familjar.
Pasuria e bllokuar nga SPAK është vetëm maja e ajsbergut, një përqindje e vogel e perandorisë së pasurisë të ngritur me para të pista të Eskobarit Rrapi, i cili vepron nën urdhrat e El Chapos së Dubait.
I dyshuar se ka blerë edhe kupolën e Ministrisë së Drejtësisë, për tu ekstraduar si VIP nga Spanja në burgun e Reçit, Pashk Rrapi mësohet se ka “kopsitur” letrat për të dal nga burgu brenda disa javëve, edhe pse në fakt Spanjës i është premtuar se do të vuaj dënimin e plotë me burg.
Eskobari nga Puka vijon të menaxhojë nga qelia e burgut pasuri të tjera të fshehura, por edhe të shpëtoj nga sekuestrimi kompaninë e ngritur me para droge “Alesio 2014”, si edhe një kompani ndërtimi që ja ka blerë një biznesmeni për vlerën 1 milion euro.
Në vijim do të publikojmë të gjitha pasuritë e tjera të fshehura nga Pashk Rrapi dhe lidhjet e tij me çunat e Dubait, gjyqtarë, prokurorë, kryebashkiakë dhe Narcos të Tiranës.