Aktori Ledio Lako ishte i ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola”, i cili ndër të tjera foli për jetën e tij private. Gjatë programit ai mori një videomesazh shumë të bukur nga miku i tij Gaz Paja, i cili teksa vlerësoi aktorin për zemrën dhe njeriun që është, nuk la pa përmendur në urimin e tij edhe që ai të gjente një nuse.
Në lidhje me këtë temë Ledio tha se asnjëherë nuk ka dashur që në jetën e tij publike të lançohet me të dashurat që ka patur. Ai me sinqeritet tha se në fillimet e veta nuk ka dashur të vendos pasi nuk ka patur një bazë të sigurt ekonomike.
“Kam dashur t’i jap femrës një siguri ekonomike. Kam filluar nga zero dhe kam patur edhe frikën se mund të mbetem pa punë, sikur do të më shkatërrohej familja”, tha ai, duke shtuar që nuk ka patur guxim te kjo pjesë edhe pse në jetën e tij është shumë i guximshëm. Më tej Ledio tha se tashmë është i sigurt ekonomikisht dhe me humor tha se mund ta quajë veten të pasur.
Ledio Lako gjatë programit gjithashtu foli për marrëdhënien e ngushtë që ka me prindërit dhe me vëllanë. Ai tha se shumë nga njerëzit e afërt i ka në Amerikë dhe e ka menduar vazhdimisht largimin, por deri tani ka preferuar të qëndrojë pranë prindërve.