Mafia e birrës dhe qumështit ka blerë deputetë dhe ka kapur qeverinë, Erion Braçe denoncon skemën se si Ministria e Financave favorizon oligarkët dhe rrjep fermerët. Disa deputetë ndërhyjnë me komandë për t’i prerë fjalën
Pas mafies së miellit, e cila bleu Autoritetin e Konkurrencës me paratë që u vjedh shqiptarëve me tregun monopol dhe miellin pa vlera ushqyese, qeveria e Edi Ramës dhe degët e saj janë kapur edhe nga mafia birrës, e qumështit pluhur, kromit, sigurimeve etj.
Kapja e qeverisë nga mafia e shërbimeve të ndryshme dhe nga oligarkët vijon të denoncohet edhe nga Erion Braçe, deri disa javë më parë zëvendësministër, pra ish numri dy i qeverisë.
Aktualisht ka një perceptim publik se Braçe është opozita e vërtetë, duke qenë pjesë grupit parlamentar të Partisë Socialiste, grup i cili përdoret nga Edi Rama për të votuar paketat fiskale dhe ligjet klienteliste.
Edi Rama, pasi e largoi Braçen nga qeveria, u kujdes që deputeti të mos drejtonte as Komisionin e Ekonomisë, një nga komisionet më të rëndësishme sa i takon taksave, koncesioneve, kontrollit të Ministrisë së Financave, buxhetit, taksimeve dhe doganave.
Këtë pozicion Rama ia ka besuar Eduard Shalsit, i cili vijon të mbahet mend për premtimin se kur PS-ja do të vinte në pushtet, do të vidhte më bukur se PD-ja, edhe ky në fakt një premtim i pa mbajtur, pasi vjedhjet vijojnë në mënyrë flagrante dhe derrçe. Disa ditë më parë, në Komisionin e Ekonomisë ishte ministrja e Financave, Delina Ibrahimi, për të prezantuar paketën e re fiskale, pasi siç dihet qeveria i ndryshon disa herë në vit taksat sipas lobimeve dhe pazareve me oligarkët.
Në fjalën e tij, Braçe, hodhi akuza të rënda në adresë të ministres Ibrahimi, duke i dhënë kështu një mesazh Edi Ramës, i cili komandon ministren.
Braçe tha se qeveria punon kundër fermerëve, duke mbrojtur mafien e birrës. Sipas tij, mafia e birrës ka kapur qeverinë dhe deputetët.
Braçe pohoi një fakt të rëndë, pasi FMN-ja kishte kërkuar taksën për birrën, por ministrja e kishte hequr në paketën që ka sjellë në Kuvend. Braçe u shpreh se “Që të godasësh një sektor kaq të gjerë siç është bujqësia, ndërkohë që më vjen turp që në Kuvend, i vetmi diskutim që bëhet, shtyhet deri në një farë kohe dhe tërhiqet, është birra. Turpërohen në Kuvend deputetët e Kuvendit, duke ulur kokën dhe ngritur dorën, për të mbajtur në fuqi atë përjashtim që keni për birrën.
Më vjen turp që jam në kuvend dhe nuk kemi miratuar heqjen e favorizimit për birrën. Më shumë para se sa skema e TVSH për imputet bujqësore, ka tek birra. Meqë e kam parë që birra është në listën e FMN-së, dhe hiqet ai lloj përjashtimi, dua ta di cili ka qenë kriteri që e keni hequr”.
Në komision, ministrja e Financave, Delina Ibrahimi propozoi edhe një taksë 100 lekë për litër për qumështin pluhur, të cilin mafia e qumështit e përzien me qumështin natyral, duke e paraqitur në etiketë si qumësht natyral. Dy ditë më pas qeveria është tërhequr edhe nga kjo taksë pas lobimit të mafies së qumështit, e cila mashtron konsumatorin prej vitesh në bashkëpunim me AKU dhe organet hetimore në Shqipëri.
Erion Braçe është shprehur i habitur nga kjo tërheqje e qeverisë nga taksa për qumështin pluhur, pjesë e kërkesave të FMN-së. Kur Erion Braçe po denonconte kapjen e qeverisë nga oligarkët e qumështit dhe birrës, kanë ndërhyrë me komandë disa deputetë, duke i ndërprerë fjalën dhe prishur mbledhjen. Mes tyre ishte edhe Edmond Spaho, deputet i PD-së./Pamfleti