Deputeti socialist Erion Braçe ditën e djeshme ka komentuar marrjen si të pandehur të kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
Braçe i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut duke u shprehur se dekriminalizimi po shërben si amnisti për gangsterët e vërtetë të politikës që janë bërë mbret përmes krimit dhe parave të pista.
Sipas tij, dekriminalizimi është duke goditur ata që kanë emigruar dhe kanë kërkuar pagën e tyre për punën e bërë. “Edhe një herë, gangster nuk je kur emigron, punon si i tillë, kërkon të paguhesh për punën që bën. Po faj është të kërkosh të paguhesh për punën që ke kryer edhe me forcë-nëse provohet e tillë.
Por gangster në politikë nuk je! Gangster je kur emigron, punon në punë të pista duke ju dhënë krimit me gjithë fuqinë tënde, vjedh makina dhe i trafikon, trafikon drogë e armë, siguron të ardhura pa masë dhe kthehesh në vendin tënd ku, me ato para, ble këdo që merr vendim të bëj udhëheqës politik, me ato para blen vota cep e me cep të territorit politik ku të kanë bërë mbret!
Dekriminalizimi për fat të keq po shërben si amnisti për gangsterët e vërtetë politikë”, tha ai. Prokuroria e Posaçme ditën e hënë ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e cilësoi mandatin e tij të ligjshëm, për SPAK është konsideruar si vepër penale.
Prokuroria e Posaçme deklaroi se pas kryerjes së hetimeve, i ka komunikuar akuzën Ismailajt për falsifikim të vulave e stampave referuar formularit të dekriminalizimit.
Kujtojmë se sipas Partisë Demokratike, kryebashkiaku Qerim Ismailaj ishte dënuar më 25 shkurt të vitit 2000 me 3 vite burg nga Gjykata e Chios, për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje. Ndërkohë Ismailaj atë kohë iu përgjigj akuzave duke deklaruar se nuk kishte dijeni sa i përket këtij dënimi.