Apeli i Gjykatës së Posaçme nuk e ka lejuar avokatin amerikan të kryebashkiakut Erion Veliaj në seancë.
Joshua Roberts ka ardhur në Tiranë në rolin e vëzhguesit në çështjen ndaj Veliajt ndërsa përfaqëson studion ligjore amerikane “Kasowitz Benson Torres LLP”.
Një ditë pasi ai takoi në qeli kryetarin e bashkisë, sot ai ka shkuar në rolin e vëzhguesit në Apelin e GJKKO për të ndjekur nga afër seancën, ku Veliaj kërkon lirimin, por avokati nuk është lejuar të jetë prezent.
Një ditë më parë ai u shpreh per mediat se ka ardhur si vëzhgues dhe se do këshillojë avokatët e Erion Veliajt, të cilët në Apel kanë kërkuar lirimin me kusht.
“Jam këtu thjesht në rolin e vëzhguesit. Në Amerikë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, akuzat dhe veprat penale ngrihen në bazën e një shkaku të arsyeshëm kur të jetë kryer një krim.
Dhe qytetarët që përballen me akuza penale mund të ndalohen para gjyqit vetëm nëse paraqesin rrezik për shoqërinë”, tha nje dite me pare Roberts, pasi takoi Erion Veliajn, i cili theksoi se “do të vëzhgoj argumentet e apelimit në lidhje me lirimin me kusht të kryetarit Veliaj”, tha ai.