Kryegjyqtarja e Elbasanit, Enkeleda Kapedani, prej së cilës shumë qytetarë presin që të bëhet drejtësi, i kanë “rrjedhur” disa video të turpshme mëngjesin e sotëm. Kapedani shihet tek sfilon dhe publikon video duke e kthyer ambjentet e gjykatës në “pasarelë” sfilatash, disko e ahengje me muzikë tallava apo tekste skandaloze, teksa krimi jashtë godinës së saj prej javësh bënë kërdinë.
Menjëherë pas daljes së pamjeve filmike, ILD nisi procedim disiplinor ndaj kryetares së Gjykatës së Elbasanit. Teksa ajo më pas reagoi për mediat, duke i cilësuar videot “tentativë për ti prishur imazhin”, pasi sipas Kapedanit, ajo nuk ka llogari në rrjetin social “Tik Tok”.
Por edhe pse pa një llogari në rrjetin social kinez, kryegjyqtarja nuk e mohoi se videot nuk ishin xhiruar prej saj. Madje bazuar nga pamjet, ajo ka shfrytëzuar punonjës të tjerë të gjykatës në orarin e punës, për ta xhiruar duke bërë sfilatë. Për rrjedhojë “kinezëritë” e Enkeleda Kapedanit në ambjentet e punës dhe gjatë drejtimit të mjetit janë të pajustifikueshme për një zyrtar të lartë.
Kryetarja e Gjykatës pranon se videot e publikuara në “Tik Tok”, nuk janë publikuar prej saj por nuk sqaron se kush janë këta persona që “nuk i duan të mirën”, të cilët kanë në pronësi videot e saj personale dhe ia kanë publikuar për t’i prishur imazhin.
Çështë e vërteta, të gjitha videot e publikuara, duken të regjistruara për llogari të Kapedanit, nga dora e saj, sepse janë momente intime, personale, të cilat mendohet se ajo ua ka dërguar njerëzve të saj shumë të afërt… miqve të ngushtë.
Nëse dikush ia ka publikuar videot me qëllim për t’i prishur imazhin kryegjyqtares, Kapedani duhet të sqaronte se kush ka qenë personi i cili i ka pasur materialet filmike, apo personi që ajo ia ka dërguar me mirëbesim.
E nëse dikush po keqpërdor imazhin e saj, në këtë rrethanë, duhet të vihen në lëvizje oficerë të krimit kibernetik, të cilët duhet të zbardhin ngjarjen dhe kryejnë arrestimin e autorit, i cili ka abuzuar me imazhin e kryegjyqtares, e në rastin më të keq mund ta ketë shantazhuar me pamjet.
Por duke qenë se videot janë regjistruar nga Kapedani, asgjë nuk mund ta shfajsoj sjelljen e saj para ILD, e cila ka nisur procedim disiplinor për sjelljet e pahijshme gjatë orarit të punës dhe jashtë tij.
Në videon e siguruar nga ekskluzive.al, Kapedani shihet duke sfiluar në ambjentet e gjykatës, duke kërcyer gjatë orarit të punës, duke kënduar këngë me tekste skandaloze në punë, duke filmuar veten nën drejtimin e mjetit dhe rrezikuar jetën e të tjerëve, etj.
Nene të tëra të Kodit të Etikës së gjyqtarëve janë shkelur nga kryetarja e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani me videot e publikuara në rrjetet sociale duke ‘sfiluar’ në zyrën e saj nën tingujt e këngës ‘mafia, mafia’.
Pika ‘Ç’ i Kodit të Etikës tregon qartë të gjithë pikat e ‘parimeve të sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje’. Por ajo që është ironike është fakti respektimi i Kodit të Etikës mbikëqyret nga vetë kryetarja e gjykatës.
Ajo që bie në sy tek videot e kryegjyqtares, është se bënë një jetë vanitoze, duke pasur parasysh veshjet e saj luksoze të firmave më prestigjioze dhe të shtrenjta në botë si: “Prada”, “Dolce & Gabbana”, “Louis Vitton”, “Gucci”, “Hermes”, “Fendi”, etj./Ekskluzive.al