Nga Adriatik Doci
Gjyqtarja Enkeleda Kapedani u pezullua sot nga detyra për shkak të publikimit të disa videove të papërshtatshme në Tik-Tok. Kapedani nuk ka cenuar të drejtën e asnjë pale në proceset gjyqësore, që është edhe vija e kuqe për një gjyqtar. Megjithatë, pezullimi i saj mund të jetë i drejtë.
Por, të pezullosh Enkeleda Kapedanin për video në Tik-Tok dhe të mbrosh gjyqtaren Fida Osmani, e cila dënon një person për veprimet e pretenduara të një presoni tjetër, që i bën gjyqet në avion, që falsifikon procesverbalet, që bën plagjiaturë me vendime dhe që përdhunon kodin etikës, këtë mund ta bëjnë vetëm Artur Metani dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshill i cili ka marrë hijen e ish-KLD-së që kur u përkul para Ilir Metës dhe Sali Berishën, duke shkarkuar Ardian Dvoranin nga detyra, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe duke mos ndjekur të njëjtin standard me Vitore Tushën, të cilës i ka mbaruar mandati njësoi si Dvoranit, por ajo vijon të ushtrojë detyrën sipas ligjit deri kur të zëvendësohet.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Meta mban prej disa javësh në zyrë një dosje të zezë, me fakte dhe prova, për gjyqtaren e Tiranës, Fida Osmani, e cila me akuzat ndaj një shtetasi, dënon një person tjetër, pa kurrfarë lidhje me njëri-tjetrin. Fida Osmani është kaq e papërgjegjshme dhe skandaloze saqë një çështje gjyqësore e ngatërron me një çështje tjetër, duke miksuar, mbivendosur dhe ngatërruar rrethanat dhe emrat e personave. Vendimet e saj, për të cilat Metani është në dijeni, jo vetëm shkelin, por përdhosin të drejtat e palëve në proces.
Imagjinoni një qytetar nga Shkodra që dënohet për një qytetar nga Berati! Kaq e përbindshme është Fida Osmani. Të gjitha të faktuara!
Më parë Fida Osmani është proceduar pasi i bënte gjyqet në ajër. Po po, në ajër! Në një kohë kur ishte në avion, letrat i kopsite sikur po zhvillonte gjyqe dhe madje merrte edhe vendime. E ka pranuar vetë pa asnjë grimë turpi, duke thënë se ‘kush punon edhe gabon’!
I shpëtoi shkarkimi nga ish-KLD-ja, duke marrë vetëm një paralajmërim. Eduard Halimi, në atë kohë ministër i Drejtësie i tha: Në thuaj faleminderit që nuk po të shkarkojmë. KLD-ja jo vetëm duhet ta shkarkonte, por duhet ta referonte në prokurori për falsifikim. Enkeleda Kapedanin është pezulluar se kërcente, Fida Osmani që jep drejtësi në avion dhe që të dënon për dikë tjetër, ngre çdo ditë çekiçin në Gjykatën e Tiranës.