Enkel Demi ka bërë një shkrim në mbrojtje të Ilir Metës, pas skandalit të pasaportave.
Por, me sa duket Enkel Demit i janë errur aq shumë sytë para shkeljeve të Ilir Metës, sa ka zbuluar padashje një tjetër skandal.
Ilir Meta, sipas Enkel Demit, i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare një artisti nga Kosova, sepse ja ka kërkuar ky.
Pra, Enkel Demi ka hyrë mik tek Ilir Meta për t’i dhënë nënshtetësinë shqiptare një artisti, dhe ky i fundit ia ka dhënë direkt.
Nuk e dimë se për cilin artist bëhet fjala, pasi Demi nuk e përmend, por është skandaloze se si Ilir Meta e përdor Presidencën për qoka ndaj gjithë miqve të tij, pasi si Enkel Demi, atij mund t’i vejë kushdo që e njeh dhe t’i kërkojë nënshtetësi për ndonjë mikun e tij.
Shkrimi i Enkel Demit
Një nga këto profilet e fabrikës së shpifjes së Rilindjes më shkruante pak ditë më parë. Ndryshe nga mallkuesit e zakonshëm lajmësi i panjohur më akuzonte se më kishte blerë Presidenti Ilir Meta. Ai më thoshte që përderisa nuk flas për “aferën” e shtetësive jam i shitur tek kreu i shtetit. Me thënë të drejtën të të blejë Rilindja për një copë bukë si ndodh me këngëtarë e artistë, profilistë e analistë më duket ku e ku më keq se sa të të blejë Ilir Meta. Por, meqë më akuzuan, “ndjeva” keqardhje të thellë në këtë rast, sepse mirë që qenkam shitur dhe nuk e kam ditur, por nuk kam parë një kryq leku.
E njëjta gjë ka ndodhur me Presidentin Ilir Meta, i cili aprovoi një kërkesë timen dhe disa njerëzve të tjerë me qasje në publik. Pa kurrfarë pareje ai aprovoi, madje shpejt një kërkesë tonën për t’i dhënë shtetësinë shqiptare një artisti të rrallë që jeton në Prishtinë, i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm këto 30 vjet në muzikën shqiptare.
Natyrisht, nuk e takova kurrë Ilir Metën për këtë çështje, por kryem një procedurë, të cilën ligji e parashikon të hollësishme deri në detaje. Askush në Presidencë nuk kërkoi shpërblim apo një favor të natyrës rilindase si fjala vjen që muzikanti të mbante një fjalim tek tubimi i Presidentit apo të porosiste ndonjë qëndrim a lajm në adresën time.
Sot, kreun e shtetit e akuzojnë për një lojtar të Tiranës dhe natyrisht për emra të tjerë, të cilët na dalin të lidhur me krimin. Fushata që po udhëhiqet ethshëm nga media pranë qeverisë dhe me konflikt të lashtë jo me Presidentin, por me Ilir Metën ka vetëm një qëllim; të zbehë punën e ndyrë dhe mafioze të inceneratorëve. Madje, nëse nuk mundet ta zbehë atë, ta barabisë me një tjetër në anën e përtejme të barrikadës.
Filozofia është e thjeshtë dhe që ka kohë që sponsorizohet nga dora vetë Edi Rama. Ai thotë: “Kriminelë që vjedhin vota kam unë, por kanë dhe ata. Para që vjedhim kemi ne, por kanë dhe ata. Mafiozë jemi ne, por edhe ata hyjnë në pazar me ne.”… dhe në fund deviza e mirënjohur: “Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka!”.
Pra, me pak fjalë të gjithë janë njësoj, ndaj mbajmë rilindasit ose si thonë tironcit, meqë po përmenden për një lojtar afrikan: “qorr për qorr e kom n’oborr”.
Kjo metodologji ka vite që është vënë në jetë nga Rilindja, e cila kur vuri re që nuk e fshihte dot të pëgërat që i kishin marrë shalët synoi t’i baltosë të tërë.
Këtë herë e bënë herë me sulme të përqendruara, herë me koncerte të përqendruara. Fjala vjen, kur shoh një tjetër muzikant të mirë të vendit tim, i cili mori damkën e rilindasit, nuk e urrej, nuk e përçmoj, por them se një hall i madh duhet ta ketë rreshtuar në atë anë, ku kokëulur duhet të thotë llogje që të zgërdhihen barqet e kërcyera të pushtetit.
Atë e konsiderojnë të shitur, kurse unë e konsideroj hallexhi. Ka dasht’ i Madhi Zot që me mua është treguar i mëshirshëm dhe nuk më ka vënë në prova të tilla, ndaj mund t’ia them qoftë edhe një profili kallp të propagandës: “ Jo nuk më ka blerë kush, as Ilir Meta”.