Nga Xhevdet Shehu
Në rrugën e saj drejt marrjes së pushtetit, Partia Demokratike luajti fort me kartën e korrupsionit që, sipas saj, kishte përlyer gjithë ish-udhëheqjen e lartë të Partisë së Punës dhe shtetit komunist. Sipas shifrave që publikoheshin ditë pas dite në shtypin e atëhershëm të opozitës, dilte se udhëheqësit komunistë kishin bërë hatanë duke vjedhur gjithë floririn dhe pasurinë kombëtare.
Me këtë çështje unë do të ndeshesha qysh në ditët e para të bashkëpunimit me Zërin e Amerikës, ndërsa do t’i kthehesha e rikthehesha shumë herë në vitet e mëvonëshme kur do të zhvilloheshin gjyqet e ish-udhëheqësve të lartë komunistë, por edhe me shfaqjen e fenomenit të korrupsionit te pushtetarët e rinj demokratë.
Në fillim të vitit 1992 Partisë Demokratike iu shtua edhe një argument i ri për këtë çështje, një deklaratë e bujshme e një zvicerani me emrin Xhon Megou (John McGough). Këtë emër për herë të parë e kam dëgjuar nga kryetari i atëhershëm i PD, Sali Berisha, ndërsa mënyra se si u servir dhe u trajtua kjo çështje ishte mjaft intriguese…
Mirëpo më vonë do të vërtetohej se deklarata e Megout ishte një shashkë tymuese në prag të zgjedhjeve, pasi për të nuk u krye kurrë ndonjë hetim dhe çështja do të tregohej si anekdotë…
Ja kronika që kam transmetuar me këtë rast:
“Menjëherë pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, një nga çështjet që ka sensibilizuar vazhdimisht opinionin publik në vend ka qënë i ashtuquajturi problem i thesarit të shtetit oseEnigma e Arit.
Sipas të dhënave të shtypit të opozitës, del se sasi të mëdha të këtij thesari janë grabitur e shpërdoruar nga ish-udhëheqja e lartë dhe e korruptuar e Partisë së Punës dhe pushtetmbajtësit komunistë për afro gjysmë shekulli.
Fillimisht, në shtypin shqiptar ky problem u ngrit një vit më parë në faqet e gazetës së parë opozitare RD. Por, si atëherë Partia e Punës dhe më vonë Partia Socialiste, sa herë është ngritur ky problem, kanë sulmuar opozitën demokratike për shpifje dhe truke propagandistike.
Megjithatë, presioni i opozitës bëri që në parlamentin e parë pluralist të ngrihej një komision i posaçëm për problemet e thesarit, i kryesuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Blerim Çela. Nga ky komision, si dhe në faqet e RD-së, janë publikuar shifra për sasira të ndryshme të thesarit të zhdukura në mënyrë enigmatike.
Gjithashtu, është fakt se tashmë pothuajse gjithë ish-udhëheqja e lartë e Partisë së Punës ndodhet në ndjekje penale, ndërsa disa prej tyre, duke përfshirë edhe zonjën Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës, si dhe ish-anëtarë të Byrosë Politike si Rita Marko, Manush Myftiu, Hekuran Isai e të tjerë, prej disa muajsh ndodhen të arrestuar nën akuzat për abuzime dhe përvetësime në përmasa të mëdha të pasurisë së popullit që thuhet se kapin miliona dollarë.
Nga listat që janë bërë të njohura deri tani, akuzohen pothuajse pa përjashtim të gjitha familjet e ish-udhëheqësve komunistë, duke përfshirë edhe presidentin Alia dhe ish-kryeministrin Çarçani.
Ditët e fundit, problemi i thesarit sensibilizoi sërish më me forcë opinionin shqiptar, pas një deklarate në TV shqiptar të qytetarit zviceran Xhon Megou në datën 24 shkurt. Zoti Megou deklaroi për 10 tonë ar që kanë dalë nga Shqipëria me dy avionë të posaçëm të ngritur nga aeroporti i Rinasit në muajt tetor – nëntor 1990 në drejtim të bankës Shtrasse të Zvicrës.
Sipas kësaj deklarate, del se një pjesë e këtij ari përbën kapitalin bazë të një banke shqiptaro-zvicerane në Tiranë.
Të nesërmen e kësaj deklarate Presidenti i Republikës, zoti Alia, nëpërmjet një njoftimi të posaçëm nga kabineti i tij, ngarkoi Prokurorin e Përgjithshëm për verifikimin e saktësisë së fakteve të deklaratës së qytetarit zviceran dhe kërkoi të vihen para përgjegjësisë penale personat e implikuar në këtë çështje. Më në fund, së treti, Presidenti urdhëroi që, nëse lajmi rezulton i rremë, të fillojë procesi penal ndaj autorit dhe atyre që organizuan përhapjen e këtij lajmi.
Pika e tretë e njoftimit nga kabineti i Presidentit është konsideruar nga sindikata e pavarur e RTV si shantazh ndaj qytetarit zviceran Xhon Megou, ndaj gazetarëve në përgjithësi, si dhe ndaj fjalës së lirë.
Të këtij mendimi ishin dhe shumica e gazetarëve të gazetave qendrore të intervistuara nga TV posaçërisht për këtë çështje. Ata e morën në mbrojtje qytetarin zviceran nga sulmet që i bëhen.
Bën përjashtim këtu Zëri i Popullit, që boton shkrime, pohime e deklarata të kryeministrit, ministrit të Financave, drejtorit të Bankës së Shtetit, drejtorit të Thesarit e simpatizantëve të Partisë Socialiste. Në faqet e Zërit të Popullit dënohet deklarata e Xhon Megout, ajo quhet “tollumbace, përrallë e kurdisur, manipulim politik për qëllime elektorale” etj.
Megjithatë, kryetari i komisionit parlamentar për çështjen e Thesarit, Blerim Çela, në një intervistë të tij, pasi mori në mbrojtje qytetarin zviceran, jo vetëm e quajti të drejtë deklaratën e bërë nga ai dhe plotësisht të mundshme nxjerrjen e 10 tonëve ar në fund të vitit 1990, por shtoi se kjo është vetëm një pjesë e vogël e thesarit të grabitur nga pushtetmbajtësit komunistë. Sipas specialistëve, thesari i grabitur çmohet në rreth 280 tonë ar…”.
Nga gjyqi i Nexhmije Hoxhës
Procesi penal për Nexhmije Hoxhën u hap në Tiranë më 8 janar 1993, në një ditë me diell, por të ftohtë. Hapja e këtij procesi pritej me interes të veçantë, për faktin se do të gjykohej një nga njerëzit më të rëndësishëm të gjysmëshekullit të fundit, bashkëshortja e Enver Hoxhës, e cila thuhej se kishte luajtur një rol të ndieshëm si kur ishte gjallë i shoqi, por në mënyrë të veçantë pas vdekjes së tij.
Për të shmangur ndonjë incident, policia kishte marrë masa të rrepta sigurimi, duke e bllokuar rrugën e Durrësit, ku ndodhej gjykata e Tiranës, si dhe duke e rrethuar godinën me policë të shumtë, të cilët nuk i linin qytetarët e zakonshëm për t’u afruar, ndërsa ftesat për ata që do ta ndiqnin gjyqin në sallë ishin ndarë prej disa ditësh.
Gjatë ditëve të këtij gjyqi nuk u zhvillua asnjë proces tjetër, ndërsa mjediset brenda gjykatës ishin rregulluar e pastruar me nxitim, pasi gjyqi do të ndiqej nga shumë gazetarë të vendit dhe të huaj.
Salla ku do të zhvillohej procesi ndodhej në katin e tretë dhe shikonte nga lindja, ajo ishte lyer enkas me gëlqere dhe, për herë të parë pas shumë kohësh mosfunksionimi, ishin vënë në punë kaloriferët si dhe në dritaret e saj u varën perde në disa korniza të stërpërdorura…
Nexhmije Hoxha
Nexhmije Hoxha
Nexhmije Hoxha nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Byrosë Politike, por, duke qenë bashkëshortja e Enver Hoxhës, ajo ishte një nga figurat më autoritare të shtetit.
Ndërsa postet zyrtare të saj, në dukje kanë qenë të dorës së dytë, si: anëtare e Komitetit Qendror të PPSH, deputete e Kuvendit Popullor dhe drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste – Leniniste.
Vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës u zgjodh (në vend të të shoqit) kryetare e Frontit Demokratik.
71 vjeçarja N.Hoxha kishte zgjedhur për avokat të saj në këtë proces Dhimitër Beshirin, i cili ishte bërë i njohur si avokat i njerit prej të pandehurve në gjyqin e Shkodrës për ngjarjet e 2 Prillit.
N. Hoxha do të ulej në bangën e të akuzuarve së bashku me ish-drejtorin e Drejtorisë së Pritjes, 38-vjeçarin K. Buxheli, i cili e mbante këtë detyrë që prej vitit 1986.
Hoxha dhe Buxheli akuzoheshin për veprën penale të vjedhjes në përpjestime të mëdha të pasurisë shtetërore si dhe për shpërdorim të detyrës për periudhën 1986-1990.
Do dalë floriri, besonte shumëkush. Erdhi koha…
***
Prokurori Teodor Mosko tha se familja Hoxha ka patur një trajtim të veçantë me privilegje të pakufizuara gjatë viteve 1986-1990, duke bërë një jetë përrallore me shpenzime të shumta nga pasuria e shtetit që kapin miliona, të pambështetura në akte ligjore e nënligjore.
Llogaritet, tha ai, që familja Hoxha të ketë pritur e përcjellë mbi 12 mijë persona, për të cilët janë shtruar dreka dhe darka mjaft të shtrenjta, ndërkohë që niveli i jetesës së njerëzve të thjeshtë binte vazhdimisht drejt varfërisë ekstreme.
Prokurori foli për udhëtime të shumta të familjes Hoxha dhe të udhëheqësve të lartë të Partisë së Punës jashtë shtetit në kryeqytetet të Europës e Botës, shpenzimet e të cilave i motivonte Drejtoria e Pritjes, duke i nxjerrë nga pasuria shtetërore.
Ndërkaq, funksionarët e lartë të shtetit nuk paguanin qera për banesat, për dritat dhe ujin, si dhe kishin klinika speciale ku kuroheshin falas.
Gjithashtu në dispozicion të tyre ata kishin edhe 131 vila dhe shtëpi pushimi në rrethe të ndryshme të vendit, ku përsëri mobilimi dhe trajtimi bëhej falas për ta.
Ndër emrat që u lakua më shumë për vjedhje dhe abuzime të mëdha ishte dhe ai i ish-presidentit Alia, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej disa muajsh, si dhe ai i ish-kryeministrit Çarçani.
Por të pandehurit nuk e pranuan akuzën.
***
Gjyqi i Nexhmije Hoxhës hyri menjëherë në fjalorin e përditshëm politik dhe publicistik si gjyqi i kafeve, duke shprehur në mënyrën më cinike farsitetin e proceseve që u bënë gjatë kësaj periudhe për ish-udhëheqësit e lartë komunistë.
Për Nexhmije Hoxhën, për shembull, nga pala akuzuese u tha se në bazë të dokumentave që ishin ruajtur rigorozisht nga Drejtoria e Pritjes, gjatë viteve 1986-1990 në familjen e saj ishin pirë 8116 kafe!
Ndaj dhe për të u krijua përshtypja se i vetmi “mëkat” që kishte bërë ishte se, pas vdekjes së të shoqit, kishte pirë më tepër kafe nga ç’i takonte të pinte!
Akuza për privilegjetishte vërtetë qesharake, gjë që në të vërtetë i krijonte të pandehurës një privilegj dhe siguri për pozitën në të cilën ndodhej.
***
Gjatë këtyre seancave dëshmuan ish-zyrtarët më të lartë të partisë dhe shtetit komunist. Në mënyrë të veçantë interes ngjalli thirrja si dëshmitar e ish -presidentit Ramiz Alia në ditën e pestë të procesit, për të cilin që nga koha e arrestimit shtëpiak rreth 5 muaj më parë, kjo ishte paraqitja e parë në publik.
Zoti Alia hyri në sallën e gjyqit i shoqëruar nga policët, mes kureshtjes së të pranishmëve, që për herë të parë nuk ngriheshin në këmbë para tij.
I pyetur nga kryetari i trupit gjykues në lidhje me çështjen për të cilën akuzohen të pandehurit, e veçanërisht Nexhmije Hoxha, zoti Alia tha se ka patur pikëpamjen dhe bindjen që familja e Enver Hoxhës duhej trajtuar në mënyrë të veçantë edhe pas vdekjes së Enver Hoxhës.
Ai tha se E. Hoxha ka qenë Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe udhëheqës i shtetit shqiptar për 50 vjet me radhë dhe shtoi se familja e tij duhej trajtuar si familja e një personaliteti të tillë, si për gjithë ish-partizanët dhe heronjtë e Luftës Nacionalçlirimtare.
Zoti Alia theksoi se këtë trajtim familja Hoxha e meritonte, aq me tepër pasi e dinte që Enver Hoxha nuk i la familjes së tij, fëmijëve dhe gruas së tij as një shtëpi pasuri, as tokë dhe asnjë pasuri tjetër të tundshme ose të patundshme.
Ndërkohë ai tha se nuk kishte dijeni se çfarë vendimi është marrë nga Qeveria për trajtimin në mënyrë të veçantë të familjes Hoxha, por shtoi se nuk vinte në dyshim vërtetësinë e atyre që ka thënë Nexhmija…
Prokurori, duke marrë fjalën pas dëshmisë të zotit Alia, në prani të tij, tha se vendimet partiake që janë marrë dhe zbatuar vërtetojnë se Partia ka qënë mbi shtetin.
Ai tha se me anën e këtyre vendimeve është mbuluar dhe justifikuar korrupsioni i ish-udhëheqësve të lartë partiakë dhe shtetërorë. Prokurori e krahasoi këtë korrupsion me një ajsberg. Tani, tha ai, ne shohim vetëm 1/8 e këtij ajsbergu, ndërsa 7/8 e tij pritet të zbulohen gjatë proceseve gjyqësore që do të pasojnë…
***
Më 21 janar prokurori Mosko mbajti pretencën, ku i kërkoi trupit gjykues t’i deklaronte fajtorë të pandehurit dhe t’i dënonte ata me burg, përkatësisht ai shqiptoi 14 vjet për N. Hoxhën dhe 9 për K. Buxhelin.
Të pandehurit e mbajtën fjalën e tyre të fundit 5 ditë më vonë.
sali-Berisha-22-mars-1992-3Kronikë e patransmetuar
“Kapitulli i parafundit i gjyqit me dyer të hapura ndaj të pandehurve Nexhmije Hoxha dhe Kino Buxheli zgjati rreth dy orë. Ai u mbush me fjalën e fundit të të pandehurve si dhe me mbrojtjen që u bënë atyre avokatët.
Të dy të pandehurit, pasi përsëritën se nuk pranonin asgjë nga akuza dhe pretenca e prokurorit, iu drejtuan trupit gjykues të shpallë pafajësinë e tyre. Ata shprehën konsiderata pozitive për zhvillimin e këtij procesi gjyqësor që, sipas tyre, u drejtua me kompetencë dhe aftësi profesionale nga trupi gjykues.
Zonja Hoxha në fjalën e fundit shprehu edhe një herë pikëpamjen se akuzat ndaj saj, arrestimi dhe ky proces gjykimi bëhen për qëllime politike. Ajo e quajti të tepërt të përsëriste ato që kishte thënë gjatë procesit lidhur me akuzën, të cilën e quajti absurde.
Ajo deshi të shprehte pikëpamjet dhe qëndrimet e saj lidhur me zhvillimet e sotme në Shqipëri, por meqënëse kjo nuk kishte lidhje me akuzën, kryetari i trupit gjykues nuk e lejoi.
Mirëpo ajo nuk ngurroi të deklaronte se ato që do të thoshte ishin pupla para artilerisë së rëndë nga topa të ndryshkur që po përdoren jo vetëm nga gazetarët, por edhe nga personalitete zyrtare ndaj saj dhe familjes së Enver Hoxhës.
E pandehura Nexhmije Hoxha e quajti tepër të rëndë dënimin me 14 vjet burg që kërkoi për të prokurori. Ajo e quajti këtë të barabartë me dënimin me vdekje.
Zonja Hoxha, megjithëse deklaroi se nuk do të përdorte tribunën publike të gjyqit për të shprehur pikëpamjet e saj politike, përfitoi nga rasti të sulmonte forcat politike në pushtet.
Ajo bëri një biografi të shkurtër të saj si militante e Luftës Nacionalçlirimtare dhe e quajti vetenluftëtare për emancipimin e gruas dhe shoqërisë shqiptare gjatë 50 vjetëve të fundit.
Ajo tha se në vitet e Luftës, fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre e kishin dënuar me 13 vjet burg, por nuk ia vunë dot prangat, pasi ajo pati dalë partizane.
Fati e solli, tha ajo, që 50 vjet më vonë, pinjollët e bashkëpunëtorëve të fashizmit, që, sipas saj, po ngjisin shkallët e pushtetit me revan, u hakmorrën ndaj saj, e futën në burg, i vunë dhe prangat vetëm për një ditë për kënaqësinë e tyre.
E pandehura N. Hoxha e mbylli fjalën e saj të fundit duke thënë se e priste me qetësi dhe durim çfarëdo dënimi.
Ndërsa i pandehuri K. Buxheli në fjalën e tij të fundit e quajti absurd gjykimin e tij së bashku me ish-udhëheqësit e lartë komunistë. Ai tha se kishte qënë thjesht një nëpunës që ka kryer detyrat që i kanë ngarkuar të tjerët…
***
Nga ana tjetër, shtypi e akuzon familjen Hoxha për përvetësim të sasive të mëdha të floririt shqiptar, i cili mendohet se është depozituar në banka të huaja.
Në shtyp është pohuar se nga fundi i vitit 1990 ka dalë një sasi e konsiderueshme e arit shqiptar me avion të posaçëm. Për këtë ka deklaruar në TV qytetari zviceran Xhon Megou. Çështja e grabitjes së floririt është një nga pikat më të ndjeshme në opinionin publik të vendit.
Mirëpo, fjala flori ishte një nga fjalët që nuk u përmendën asnjëherë në procesin gjyqësor të Nexhmije Hoxhës, në një kohë që mendohej se kjo çështje do të përbënte boshtin e procesit.
Sidoqoftë, Nexhmije Hoxha do ta kremtonte pas disa ditësh në burg 72-vjetorin e saj.