Nga Viktor Malaj
“Në skenë shumë shpejt, dhe shumë lehtë, ka dalë intelektuali kundërintelektual, intelektuali mantenutë, i cili bën çmos për të nxjerrë dobi sa më të madhe prej fitores kundërkomuniste, që ka korrur tjetërkush, domethënë prej fitores për të cilën s’ka bërë asgjë, ama asgjë, bash asgjë, prej fitores kundër komunizmit, të cilit i ka shërbyer shumë përtokshëm!”/Rexhep Qosja
Rasti i Xhisiela Malokut, vajzës nga Fushë Kruja që i ishte nënshtruar dhunës fizike dhe verbale nga ish-i dashuri i saj, është nga ato ngjarje që të shkakton dy ndjenja njerëzore njëherësh: edhe keqardhjen, shoqëruar me dhimbjen për viktimën e dhunës por edhe neverinë, shoqëruar me revoltë të brendshme ndaj asaj kategorie shoqërore të rinjsh shqiptarë (dhe jo vetëm) që boshllëku mendor dhe dobësitë e karakterit i bëjnë të besojnë se mund të sillen si të duan me vajzat e botës dhe nuk do të gjejnë kurrfarë ndëshkimi, as në rrugë private dhe as nga ligji.
Rasti në fjalë, që po e pranoj të vërtetë pavarësisht qëndrimit përgënjeshtrues të vajzës, është vetëm njëri nga qindra apo mijëra të tillë që kanë ndodhur dhe (mjerisht) ndodhin në Shqipëri çdo vit. Mirëpo, mund të thuhet se Xhisiela ishte “me fat” pasi dhunuesi i saj ishte djali i një politikani, deputet i shumicës në pushtet. Ky fakt bëri të mundur që në mbrojtje të saj të rreshtohej një ushtri pambarimisht e madhe kinse dashnorë të paqes, armiq të dhunës, luftëtarë të barazisë gjinore, bartës të intelektit më të lartë njerëzor dhe me karaktere përjetësisht “të papajtueshëm” me padrejtësinë dhe krimin. Kjo ushtri e veshur me uniformën e hipokrizisë dhe e pajisur me armët antipushtet u vërsul nëpër televizione e të tjera media dhe iu paraqit shqiptarëve si shpresa e fundit dhe e vetme e sigurisë së tyre.
A thua se të gjithë e kishim humbur besimin tek e drejta dhe morali kur, befas, na u shfaqën njëri pas tjetrit apostujt e nderit në rolin e gardianëve të së drejtës dhe e morën në mbrojtje Xhisielën e ngratë? E, ndërsa ajo iu lutej të qetësoheshin dhe të ulnin shpatat e betejës për triumfin e të drejtave të femrave, ata, që prej 30 vjetësh kanë dëshmuar se ” nuk pajtohen” me padrejtësitë, e refuzonin thirrjen e saj dhe i thoshin se ajo nuk e dinte mirë të vërtetën pasi, jo vetëm ishte dhunuar, por edhe përdhunuar nga djali gangster i deputetit pushtetar. Energjinë e pafund dhe pafytyrësinë e pamatshme të sjelljeve të tyre hipokrite kjo armatë tallëse e shqiptarëve e gjente në urrejtjen ndaj pushtetit që motivohet nga etja e vet për dominim politik, emocional dhe pasuror.
Si gjithnjë, në ballë të armatës së engjëjve mbrojtës të Xhisielës u shfaq “Ati Ynë Shpirtëror”, Sali Berisha. Pasi llogaritë i dolën se dy seritë e para të filmit “Babale” kishin dështuar, mendoi se ia vlente hedhja në treg e serisë së tretë nëpërmjet inskenimit të intervistës së një oficeri policie “të trembur” nga kanosjet e familjarëve të autorit të dhunës ndaj Xhesielës. Nuk dyshonin se edhe skenaristët edhe aktori polic do të dilnin të fituar. Të parët do të dërmonin pushtetin “e krimit” ndërsa i dyti, pasi dezertoi nga policia dhe u arratis, do të fitonte azil politik familjar në Zvicër, ashtu si kishte bërë një tjetër oficer policie para dy vitesh.
“Ati ynë shpirtëror” u shfaq si njeri i paqes, i moralit, i së drejtës, i mosndërhyrjes së politikës në drejtësi, i respektit ndaj gjinisë femërore. Siç vepron gjithnjë kur është në opozitë, por fatmirësisht shqiptarët nuk e kanë humbur kujtesën. Në mendjet e tyre, ashtu si dhe në timen, filluan të parakalojnë dhjetëra ngjarje e sjellje të kryeaktorit famëzi të këtyre tre dhjetëvjeçarëve. U kujtuam, për shembull, se ky burrë “i fisëm” u kishte përgojuar nënat, gratë dhe motrat dhjetëra kundërshtarëve politikë, i kishte thënë dikur deputetit Balla se nëna dhe motra e tij do të bëheshin prostituta.
Më herët e kishte quajtur nënkryetaren e Parlamentit “bushtër” mu atje në mes të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa, më pas dhe në të njëjtin vend, Prokuroren e Përgjithshme “lavire bulevardi”; kishte rrahur e burgosur deputetë e protestues, gazetarë dhe analistë, kishte vrarë protestues dhe qe betuar se do të ishte “snajperi i pestë” kundër protestuesve në të ardhmen; ishte shpallur “armik i shtypit të lirë” dhe “kryetrukues zgjedhjesh” nga të huajt. Madje, shtypi gjerman e kishte quajtur “një ordiner të rrezikshëm” në vitin 1998. Mendja ime e ngushtë, e pangjashme me mendjet e mitingashëve të tij, nuk po e kuptonte dot se si një njeri i tillë ishte shndërruar në engjëll i paqes, armik i dhunës dhe pastor i moralit. Edhe ordiner i rrezikshëm, edhe armik i dhunës dhe i rrezikut! Cila nga këto të dyja ishte e vërteta e personalitetit të tij?!
Ky “zotëri burrë” dha alarmin se pushteti aktual po e mbronte dhunuesin e Xhisielës dhe po i imponohej. Ndërkohë që neve që s’jemi mitingashë kujtesa na fton të mendojmë kohën kur ky bërtitës, me dhunti dhunëtari, gënjeshtari dhe shpifësi, mbronte hapur vrasësit e protestuesve në bulevard, mburrej se kishte urdhëruar pengimin e drejtësisë në procedimin dhe arrestimin e autorëve të vrasjeve; i kishte shkuar për darkë zëvendësit të vet një natë përpara se gjykata të jepte vendimin e gjykimit për korrupsion ndaj tij; kishte marrë në mbrojtje të hapur kryetarin e bashkisë Kamzë pasi ishte i përfshirë në korrupsion dhe akuzohej nga “Shamikuqja” për dhunim seksual, kishte ngritur në detyrë një zyrtar të lartë të tij në kohën që ai ishte marrë i pandehur dhe po gjykohej për vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, i ishte vërsulur prokurorisë kur kishte lëshuar një urdhër arresti për mikun e tij trafikant, serbo – boshnjakun Damir Fazlliç etj…
Nga vetëbesimi me të cilin bërtet, për një çast të duket e mundshme që vetë Sali Berisha të mendojë se me të ka ndodhur mrekullia hyjnore që e ka shndërruar nga djall në shenjt, ose nga katil në shenjt, siç thoshte Noli. Në të vërtetë ai ia arriti që një pjesë e shoqërisë, në fillim të viteve ’90, ta besonte se brenda disa orëve u shndërrua nga komunist fanatik në demokrat i fantaksur. Bëri gjithçka mundi të na bindte se është heroi që na solli lirinë, se shembi komunizmin të cilit i kishte shërbyer me shumë përkushtim derisa komunizmi u vetëshemb. Janë të paktë trutharët që besojnë ende në këtë gënjeshtër të madhe, por nuk janë dhe aq të paktë ata që, për interesat e tyre, bëjnë sikur e besojnë.
Nisur nga shembulli, ai dhe shërbëtorët e tij kanë të drejtë të besojnë se përderisa u shndërrua befasisht nga komunist në demokrat, pse t’i ndalë përpjekjet për të na bindur se ka ndodhur edhe mrekullia tjetër, se nga djall u shndërrua në engjëll. Britmat se është engjëlli burojnë nga besimi që ka se edhe mund të bëhet profet. Jemi ne ata që nuk besojmë tek mrekullia, jo ai. Ai beson dhe ndoshta, duke kujtuar se Zoti iu shfaq Muhametit në shpellë 1400 vjet më parë, pyet veten: pse të mos vijë në zyrën time luksoze në kullën 25 katëshe dhe të më bëjë profet? Pastaj pyet neve, domethënë popullin: pse, ç’kanë pasur më shumë nga unë dy profetët, Krishti dhe Muhameti?
Saliu nuk dëshiron të kthjellohet, por ne ia njohim dhe s’duhet t’ia harrojmë për asnjë çast ” virtytet ” e tij kryesore: dhunën, shpifjen dhe gënjeshtrën, të zbatuar aq shpesh në praktikë sa kur ka qenë në opozitë, aq edhe kur ka qenë në pushtet, pa u ndëshkuar asnjëherë. Ndëshkimi që i dha gjykata para pak muajve për shpifje vlen sa për të thënë: më në fund drejtësia dha një vendim për një padi fare të vogël që tradhton predikimet e tij të përditshme. Por edhe për të shpresuar se radha po u vjen padive të mëdha, se drejtësia do veprojë dhe “haka do shkojë tek i zoti”.
“O Zot! O Zot!- shënon për profilin e Saliut prof. Qosja në ditarin e tij (shtator 1995), nga u mor citimi në krye të shkrimit,- Në skenën tonë shoqërore, kulturore dhe politike është një tip i veçantë intelektuali kundërintelktual, i intelektualit të partishëm…”
“Sinqeritetin” për të cilin betohet e përbetohet Sali Berisha e shpërfaq në çdo deklaratë që bën. Së fundi deklaroi: “Shqipëria është vendi i vetëm në planet ku arreston vetëm opozita”. Mos e beso, po deshe! Dhe as mos e kujto pyetjen asgjësuese që u bë në Shqipërinë komuniste: “Pse të gjithë armiqtë i zbulon partia?!”. Tani, partia jo vetëm i zbulon por edhe i arreston. Madje i arreston edhe duke mos qenë në pushtet. Nuk duhet shtrydhur kujtesa për të sjellë prova se çfarë ka bërë partia kur ishte në pushtet, se ato janë sheshit, por le të na vlejnë për të përfytyruar se çdo bëjë po të rikthehet edhe një herë tjetër në pushtet.
Dhe Partia e ka princin trashëgimtar, Lulzim Bashën. Si mbrojtës i Xhisielës dhe luftëtar i drejtësisë së pavarur u shfaq edhe trashëgimtari i Saliut. Ky lumëzi gati sa nuk qau nga dhuna e ushtruar mbi Xhisielen, megjithëse është betuar se do të mbajë lart moralin dhe politikën berishiste të cekur më sipër. Duke mëtuar se është luftëtar i moscenimit të drejtësisë dhe mbrojtës i të drejtave njerëzore na ndihmoi të kujtojmë: si e mbylli procedimin penal ndaj vetes së tij me tejkalim afatesh procedurale, megjithëse akuzohej nga prokuroria për shpërdorimin e 230 milion eurove nga buxheti i shtetit; thënien e tij se qeveria, ku ai ishte Ministër i Brendshëm, “kishte zbatuar vetëm ligjin” në 21 janar 2011, megjithëse gjykatat i kishin shpallur të paligjshme vrasjet e protestuesve prej forcave të tij mbrojtëse; pamjet filmike që e tregonin duke i shkuar për vizitë në shtëpi kreut të bashkisë Kamzë menjëherë pasi ishte dënuar nga gjykatat për korrupsion; si i organizoi marsin e këtij viti protestat para policisë së Lezhës për të kërkuar lirimin nga burgu të një grupi hajnash të tokave në bregdet, grup që kryesohej nga kryetari i tij i bashkisë. Kujtesa është xanxare e madhe, është ajo që më solli ndërmend thirrjet e këtij luftëtari të paqes dhe armiku të dhunës nga “Çadra e Lirisë” për djegie gomash, thyerje xhamash, bllokim rrugësh deri në ekzekutimin e muzikës funebër tek dera e Kryeministrisë, muzikë që na paralajmëronte vdekjen e kundërshtarëve të tij politikë.
Në Gardën e Engjëjve Mbrojtës të Xhisielës u rreshtuan edhe shumë politikanë të Partisë dhe analistë që urrejnë për vdekje qeveritarët, megjithëse nuk ishin ndier asnjëherë kur pushtetet berishiste mbillnin fyerje, shpifje, përgojime dhe dhunë ndaj njerëzve, sidomos ndaj femrave. Nuk ishin ndier kur mijëra vajza shqiptare trafikoheshin për prostitucion nëpër rrugët e Evropës, dhunoheshin, poshtëroheshin apo vriteshin; nuk ishin ndier dhe as ndihen kur qindra vajza të tjera keqpërdoren dhe u nëpërkëmbet personaliteti nëpër klubet e natës, qendrat e fitnesit, fizioterapisë apo bukurisë duke i joshur apo detyruar të bëjnë prostitutën; nuk janë ndier dhe as ndihen kur qindra vajza shqiptare përdorin drogën dhe të tjera mbesin analfabete për shkak të gjakmarrjes apo pamundësive sociale dhe ekonomike. Këta politikanë, pseudopolitikanë, gazetarë dhe analistë, mbrojtës të rremë të të drejtave tona dhe gjahtarë profesionistë të përfitimeve vetjake nuk janë ndier dhe ndihen vetëm kur besojnë se ndonjë rast fatkeq si ai i vajzës Xhisiela do të mund të përdoret si armë politike apo si hakmarrje personale ndaj pushtetit. Ata ‘ u zgjuan ” dhe u hakërruan jo nga dhimbja dhe dashuria për Xhisielën por nga urrejtja për Qeverinë.
Këta njerëz hije kur Saliu është në pushtet, por propagandistë të flaktë për të na ndriçuar “brengosjet” e Saliut në opozitë, nuk janë ndier por kanë heshtur, janë pajtuar apo kanë legjitimuar të gjitha aktet e pamoralshme dhe të paligjshme të dhunës verbale, fizike dhe të shumë paligjshmërive të tjera të pushtetit të tyre dhe të Atit të tyre shpirtëror sa herë ka qenë në pushtet. Shtypi anglez e etiketonte sundimin e tyre si “regjim gangsterësh” në mars 1997, por sot këta dhunues dhe bashkëpunëtorë të kryedhunuesit na shiten si çetë profetësh, si korpus i luftëtarëve të paqes dhe engjëjt tanë mbrojtës. Madje, duke u vetëshpallur si shpëtimtarët tanë, lëshojnë thirrjen: “Vendi ynë duhet shpëtuar sot, nesër është shumë vonë” (LSI). Janë pikërisht ata që zgërdhiheshin pasi pushteti i tyre kishte vrarë katër protestues të pafajshëm të cilët i kishin etiketuar si “kokëpalarë”.
Janë ata që u shtrihej buzëqeshja vesh më vesh kur Sali Berisha e quante Prokuroren e Përgjithshme “lavire bulevardi” dhe Presidentin e vendit “horr bulevardi”; janë ata që bllokojnë dhunshëm çdo seancë parlamentare dhe hedhin miell, shishe dhe çizme ndaj kundërshtarëve politikë në vend që të shprehin mendime të pjekura dhe rrugë zhvillimi, duke edukuar fëmijët dhe brezat e rinj me psikologjinë dhe moralin e dhunës në vend të nxitjes të dijeve dhe forcës së arsyes. Jo pak prej tyre janë njerëz të dënuar nga gjykatat shqiptare për shpifje dhe ndonjë prej tyre ka qenë dhunues i bashkëshortes jo shumë kohë më parë. Edhe vetë Xhizela nuk e dinte se kishte kaq shumë dalzotës, dalzotës të rremë, njëra prej të cilave ishte edhe njëfarë Zhupe që iu bënte thirrje evropianëve t’i jepnin strehim Xhisielës dhe vetë ajo shfaqet krenare si zëdhënëse e një bande njerëzish që s’kanë lënë gjë pa iu bërë shqiptarëve tash tridhjetë vjet. Jeta ka provuar se popujt e kanë më të lehtë të shporrin pushtuesit apo të heqin qafe regjimet e padëshiruar vendase se sa të çrrënjosin Horrizmin i cili tek ne ka zënë rrënjë dhe shtrirje më keq se grami.
Fushatës politike të opozitës iu bashkuan edhe një grup njerëzish që pretendonin se përfaqësojnë 50 OJQ që kinse financohen nga BE për të kundërshtuar dhunën me bazë gjinore. Këto organizata që, me sa duket, përbëhen nga 2-3 vetë që thithin dhe përvetësojnë paratë e taksapaguesve evropianë të shpërndara me gjithfarë procedurash korruptive, u bënë bisht dhe megafon i partive opozitare, jo nga keqardhja për Xhisielën dhe vajzat e tjera të Shqipërisë, por për interesat e politikës dhe për të justifikuar paratë e huaja që iu kanë siguruar jetesë të privilegjuar pa bërë asnjë lloj pune. Përveç shfaqjes së disa parullave të shkruara krejt gabim në shqip dhe të përkthyera në një anglishte të denjë për fëmijët e fillores, këta përfaqësues organizatash joqeveritare të keqpërdorur nga politika bënin thirrje “Rama ik!”, duke e tradhtuar emrin dhe misionin e vet. Nuk kuptohet pse të gjitha këto grupe të vogla njerëzish parazitë nuk bashkohen në një ose dy organizata që mund të ishin më të denja për qëllimin që shpallet se do të arrijnë. Ndoshta edhe financuesve të tyre iu intereson më shumë kjo skemë organizative, ashtu si miliarderëve që bëjnë evazion fiskal iu intereson ekzistenca e sa më shumë bankave apo parajsave fiskale.
Rasti i Xhisiela Malokut i thërret të gjithë shqiptarët për të nxjerrë mësime. Ky rast (dhe qindra të tjerë si ky, por të pabërë publikë) duhet t’iu shërbejë vajzave shqiptare si pësim dhe mësim. Kush dëshiron të ndërtojë një jetë dinjitoze nuk duhet ta kërkojë partnerin e vet tek “të fortët”, as tek të pasurit e lagjes apo qytetit, por tek të dijshmit dhe punëtorët fisnikë. Rasti në fjalë i bën thirrje shtetit të forcojë kontrollin dhe llogarinë ndaj administratës së vet dhe organeve ligjzbatuese për të qenë të rreptë në përputhje me ligjin në të gjithë veprimtarinë, të paanshëm në trajtimin e fenomeneve të paligjshme pavarësisht nga subjektet dhe objektet e veprave penale. Gjithashtu, ky rast dhe ato çfarë e pasuan janë një këmbanë alarmi për shqiptarët për të qenë të vëmendshëm dhe të papajtueshëm me keqpërdorimet, mashtrimet dhe shpërdorimet politike të rasteve ordinere.
Dhunimi psikologjik dhe moral që i bëri politika dhe media vajzës nga Fushë Kruja, jo për mbrojtjen e saj por për interesat e veta, tregon shkallën e lartë të mjerimit tonë moral dhe do të ketë pasoja më afatgjata se dhunimi i shkaktuar nga autori Rraja. Një politikë që ka zgjedhur që në fillimet e pluralizmit si armë keqpërdorimi i rasteve ordinere dhe nuk e ndien erën e qelbur të kalbëzimit të vet, është një politikë pa të ardhme dhe që s’duhet të gjejë përkrahjen e pjesës moralisht të shëndoshë dhe intelektualisht të vetëdijshme të shoqërisë shqiptare.