Dhurata Sulçe prej 14 vitesh lufton për të gjetur vrasësit e vëllait të saj në Greqi, por betejën e saj të parë e fitoi në Gjykatën e Strasburgut.
“Duam që fajtori të gjykohet, mos të lihet i lirë si në këto 14 vitet e fundit. Të hapen sërish hetimet”, thotë Dhurata.
Gjykata e Strasburgut thotë se hetimet paraprake zgjatën mbi 4 vjet dhe gjatë viteve 2005-2006 nuk u ndërmor asnjë veprim hetimor, dhe se dëshmitarët, të cilët u larguan nga frika, nuk u pyetën.
I vetmi i dyshuar u mor në pyetje dy vjet pas vrasjes së emigrantit, por ndonëse çështja kishte të dhëna për një oficer policie, autoritetet nuk treguan zell për ta zbardhur, thotë Gjykata e Strasburgut. “Vëllai im u vra kot, ishte në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar aty”, thotë Dhurata.
Si shkelje evidentohet edhe fakti që familjarët nuk u përfshinë si palë civile. Motra e të ndjerit, edhe pse ishte në listën e dëshmitarëve, nuk u thirr asnjëherë në gjykim. Gjykata evropiane thekson se autoritetet greke ishin të detyruara të informonin kërkuesit për vijueshmërinë e procesit dhe të hetimeve, por edhe tu vendosnin në dispozicion aktet si edhe dëshmitë mbi përfshirjen e një oficeri policie në vrasje.
Pas fitores në Strasburg, Sulçe shpreson edhe në ndihmën e autoriteteve shqiptare për rihapjen e dosjes: “Ministria e Jashtme shpresoj që të bëjë diçka tani sepse atëherë nuk bëri asgjë”.