Mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë kthyer tashmë në përplasje të hapura dhe të vazhdueshme midis Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe anëtarëve të tjerë të këtij institucioni.
Debatet kanë vijuar edhe në mbledhjen e rradhës së KLD-së, ku Gjin Gjoni është përplasur me ministren e Drejtësisë.
KLD ka bërë në këtë mbledhje ndryshimet e fundit para shkrirjes. KLD ka miratuar disa vendime për transferime gjyqtarës nga Gjykatat e Rretheve në Gjykatat Administrative.
Gjyqtarët e Gjykatave Administrative në kohën e krijimit të tyre janë zgjedhur përmes konkurësit. Ndërsa me vendimin e sotëm KLD i ka emëruar këta të fundit nga gjykatat e zakonshme në ato administrative, duke përdorur një procedurë jo transparente.
Në një mbledhje më të hershme KLD ka hapur pozicione të lira në gjykatat administrative, madje edhe në Gjykatën e Apelit Administrativ, ku nuk kishte asnjë pozicion të lirë. Në këtë mbledhje ka munguar ministrja Gjonaj.
Në mbledhjen e sotme është bërë transferimi i gjyqtarëve sipas vendeve të lira. Sipas burimeve nga mbledhja fillimisht është votuar për të plotësuar vendet bosh në Gjykatën e Kavajës, ndërsa më vonë është votuar për pozicionet e tjera.
Në pjesën e dytë të mbledhjes, kanë nisur debatet e forta mes ministres Gjonaj dhe Gjin Gjonit. Ministrja ka kërkuar nga KLD që të sillej në mënyrë të përgjegjshme dhe të zbatojë ligjin.
Por kjo thirrje është kundërshtuar nga Gjin Gjoni, i cili duket se ka folur edhe në emër të anëtarëve të tjerë të KLD, duke thënë se vendimmarrja ishte e ligjshme.
Pasi ka votuar vetëm për plotësimin e vendeve bosh në Gjykatën e Kavajës, Ministrja Gjonaj nuk ka pranuar të jetë pjesë e vendimmarrjes së KLD, të cilën e ka konsideruar të paligjshme dhe është larguar nga mbledhja.
Situata e krijuar në KLD e bën akoma më të nevojshme ngritjen e menjëhershme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me gjyqtarë të zgjedhur që kanë kaluar filtrat e vetingut, pa ndonjë lidhje politike, kriminale si dhe me integritet moral dhe profesional.