Në shfletimet për Elena Gjikën varianti më i shpeshtë i vendlindjes së saj thuhet se është Bukureshti, por ndoshta faktet duhen shqyrtuar me më shumë kujdes. Jo më kot është cilësuar “elitë e vjedhur“.
Dora d’Istria (1828-1888), pseudonim i Elena Gjikës, ka qenë një figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare dhe europiane të mesit të shekullit XIX. Ajo ishte publiciste, feministe, etnologe dhe shkrimtare me shtetësi rumune me prejardhje shqiptare.
Data e saj e lindjes është 22 janar 1828, por mbi vendin e lindjes dihet po aq pak sa edhe për jetën e saj të herët. Familja fisnike Gjika, i ka rrënjët në Pargën e bukur, (para se të krijohej shteti Grek.) vend i cili i ngjallte jo pak nostalgji Elenës.
Elena Gjika në vëllimin e veprës së saj “Les femmese en Orient” “Gratë në Lindje”, botuar në Zyrih në 1859 jep letrën që i kish dërguar një mikeshës së vet ku shkruan: Jam lindur në brigjet e Shqipërisë së Jugut, jo larg maleve të Sulit, në qytetin e Pargës, me fatin e keq të së cilës, disa vjet pas rënies së Napoleonit u muar mbarë Europa. Parga ime e dashur, e cila në shekuj nuk e ka parë gjysmëhënën mbi muret e vet. Parga iu dorëzua të pamëshirshmit Vezirit të Janinës, Ali Pashës, i cili që prej kohësh e gjykonte këtë qytet, të cilit nuk ja falte fajin për ndihmën që u kish dhënë vazhdimisht heronjve të Sulit. Një qytet prej katërmijë shpirtësh iu shit Vezirit prej Thomas Maitland, Komisar i lartë anglez i ishujve të Jonit për 150 mijë lira.
Parganjotët e përbuzën me neveri këtë çmim të tokës së lindjes së tyre dhe preferuan më mirë të marrin rrugët se sa të jetonin skllevër. Mbasi dolën në Korfuz e mandej në Trieste, prindët e mij u vendosën në Zyrih Nëna vdiq e para me emrin e Pargës në buzë dhe nuk vonoi shumë që këtë e ndoqi në varr babai”. Elena Gjika shkruan për shqiptarët: “Bij besnikë të një race që ka ruajtur trashëgiminë dhe nuk është prishur asnjëherë”. Ajo shkruan se “Liria si thonë fatosat e Sulit në një këngë, ka qenë kurdoherë bija e ngadhënjimit”. Suliotët të cilët janë çamër të shpërngulur nga krahina e Margaritit (Margëlliçit) u vendosën në malet e Sulit nga barbarizmat e pushtuesit Otoman kundër të cilit Çamëria bëri rezistencë të vazhdueshme dhe nuk iu nënshtrua as Ali Pashait. – Gazeta Çamëria, 29.01.1999 Autor Jonuz Kuçuku
Elena Gjika – Dora D’Istria, kjo elitë e vjedhur, lindi në Pargë të Çamërisë, më, 22 janar, 1828 – dhe vdiq në Firence, më, 17 nëntor, 1888. Elena Gjika, shkrimtarja, publicistja iluministe kërkoi barazinë gjinore dhe u rendit mes 10 femrave më përparimtare të shek. XIX. të Europës.
Dora D’Istria përmes një letre të shkruar prej saj, e cila gjendet në bibliotekën e Vatikanit, ku ajo u kundërvihet shpifjeve se është me origjinë greke apo nga një fshat pranë lumit Vjosë. Ja si shkruan ajo: “Deri tani është shkruar dhe folur shumë për origjinën time. Atë që s’e kanë thënë të tjerët, po e them unë. Quhem Elena Gjika, kam pseudonimin tim “Dora d’Istria”, jam jetime çame nga Parga. Rrjedh nga familja e Gjikajve.
Kur u prish Suli, shkova në Korfuz. Aty u njoha me një zonjë rumune , e cila më mori në Rumani, ku u shkollova për letërsi. U martova me një kont rus, i cili vdiq shpejt. U largova nga Rumania dhe u vendosa në Itali. Kam patur lidhje me Jeronim De Radën, me të cilin këmbeja mendime për Pavarësinë e Shqipërisë. Shpesh herë ndodh nga pseudohistorianët e huaj që shqiptarët trima e të ditur t’i mohojnë si të tillë , sepse duan t’u përvetësojnë lashtësinë .” – Jasin Bala, Çamëria lëngon, Çamëria denoncon”faq.25
Përgatiti: Elis Buba/usalbanianmediagroup