Prokurori i SPAK-ut Edvin Kondili ka ndryshuar qëndrim rreth rolit të ish ministrit Ilir Beqaj në dosjen e koncensionit të sterilizimit.
Gjatë 3 viteve hetime të thelluara dhe intensive, Kondili nuk ka gjetur qoftë edhe një fakt dhe provë të vetme kundër Ilir Beqajt, ish ministër Shëndetësie.
Është ndjekur rruga e parave, janë verifikuar transaksione, llogari, biznese, të afërm, konunikime, e-mailie, çdo gjë e mundshme, hetime aktive dhe proaktive.
Nuk është gjetur asgjë. Zero. Ndryshe nga hetimet për Arben Ahmetajn dhe Jamarbër Malltezin ku u gjetën paratë dhe rruga e tyre, për Ilir Beqjen nuk ka asnjë fakt.
Ndryshe nga hetimet për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, ku janë gjetur paratë, për Ilir Beqajn nuk ka asnjë gjurmë abuzimi, asnjë lekë të paligjshëm.
Megjithatë, Edvin Kondili ka kërkuar masë sigurie për Ilir Beqajn, detyrim paraqitje, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, për koncensionin e sterilizimit.
Prapaskena mëson se në dosje nuk ka asnjë fakt dhe provë kompromentuese dhe implikuese.
Në dosje ka vetëm një fakt, që Beqaj ka qenë ministër i Shëndetësisë. Kaq mjafton për të marrë masë sigurie dhe ngritur akuzë, edhe pse nuk është konstatuar asnjë shkelje.
Për vendimin e SPAK, ka pasur edhe një reagim nga Partia Socialiste, e cila përmes Bledi Klosit ka pohuar se beson se Beqaj do dalë i pastër nga ky proces.
Njoftimi i SPAK:
Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.
Në vazhdim të hetimeve për këtë procedim penal, me kërkesën të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.119 akti datë 16.11.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:
Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Urdhërohet personin nën hetim I. B. që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.
Urdhërohet personin nën hetim I.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim I.B..
Vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (në datën 17.11.2023).
Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.