Shtohen zërat kritikë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe lëvizjes së tij për t’u rikthyer në krye të Partisë Demokratike.
Prej muajit shtator, kohë edhe kur u përjashtua nga grupi parlamentar demokrat, ish-kryeministri Berisha ka nisur një tur takimesh me demokratët në gjithë vendin, qëllimi i së cilit është rrëzimi i Lulzim Bashës nga kreu i PD.
Të shumtë janë ata që mendojnë se Berisha po e ndërmerr këtë aksion për interesat e tij personale, ndërkohë që një opinion të kësaj natyre ka ndarë dje edhe ish-kreu dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Selami, si dhe analisti Ilir Demalia, të cilët kanë kritikuar dhe shpërthyer në akuza të forta në adresë të ish-liderit demokrat.
Selami: Fatkeqësi që Berisha të marrë peng PD-në
Fillimisht ka qenë zoti Selami, i cili ka reaguar për herë të parë sa i takon debatit që ka mbërthyer PD-në, teksa gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” u shpreh se Berisha është e shkuara dhe se sipas tij, Partia Demokratike sot është bërë mburojë e korrupsionit të tij.
Madje, Selami theksoi se është fatkeqësi që Berisha të marrë peng PD-në. “Mendimi im është që ky është një debat tejet i vonuar për PD-në. Fatkeqësia e PD-së ka qenë Berisha që edhe pas shpalljes “non grata” vazhdon përpjekjet për të mbajtur peng PD-në.
Unë nuk mund ta mendoj, Berisha duhet të kishte kapërcyer këtë me kohë. Një skenar që ky të vijë si reformator i PD-së është e pamundur. Ky kapitull është i mbyllur, Berisha është e kaluara. Duhet të shikojmë nga e ardhmja. PD sot është bërë mburojë e korrupsionit, është e deklaruar nga DASH”, deklaroi ish-kreu i PD, Eduart Selami.
Demalia: Berisha di se çfarë ka bërë
Por të njëjtin mendim si zoti Eduart Selami, ndan edhe analisti Ilir Demalia. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat ditën e djeshme, u shpreh se ka ardhur koha që amerikanët të nxjerrin faktet që kanë kundër Berishës, ndërsa shtoi se ish-kryeministri bën diversion, pasi ai e di shumë mirë se çfarë ka bërë bashkë me familjen e tij. Madje, zoti Demalia hodhi poshtë edhe akuzat e Berishës se Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli ish-kreun e PD “non grata”, pas lobimeve të miliarderit Xhorxh Soros.
“Sado marrëdhënie të mira të ketë sekretari i shtetit me Sorosin nuk mund të shkelë se këtu ka një kontroll balancë të pushteteve. Tani ka ardhur aty ku nuk mban më. DASH duhet të nxjerrë disa fakte dhe nuk mund ta ndëshkojë Berishën.
Nëse ka bërë diçka që shkel interesat e Berishës e marrin edhe si Noriega dhe e sjellin këtu. Kjo po bëhet një gjë shumë e rëndë për kredibilitetin e SHBA. Këtë Berisha po e bën për të treguar forcë si ai frikacaku që është mbështetur në mur. Berisha e di se çfarë ka bërë Berisha, djali dhe gruaja e tij. E dinë të gjithë shqiptarët.
PD nuk mund të jetë fuqi opozitare më. Edhe për vetë rrugëtimin e saj 30-vjeçar edhe si ka përfunduar tani. E ka mbyllur ciklin dhe mendoj që duhet menduar riorganizmi i një opozite, rikonceptimi i së djathtës, mund të merren elementë nga të gjitha krahët si konvencion s’ka rëndësi çfarë konvencioni mund t’i vihet”, deklaroi analisti Ilir Demalia.