Pas lajmit se Edi Rama mund të bëhet Sekretar i përgjithshëm i NATO, Muli vendosi tu drejtoj një letër të hapur Fuqive të Mëdha, ku jep argumentet e tij pse emërimi i Ramës në krye të NATO do jetë fundi i saj.
Po ju shkruaj në emër të njeriut që ka qenë kryeministër kur u fut Shqipëria në NATO. Në atë kohë, atij i ndodhi një fatkeqësi familjare, pasi 15 ditë para, baxhanaku ju vra në një depo municioni që shpërtheu dhe i biri shpëtoi për qime, se nuk kishte qenë në punë atë ditë.
Por ai nuk u tërhoq nga vendimi që të bëheshim anëtar të NATO pavarësisht se ushtria i kishte shkaktuar një dramë të madhe familjare.
Lajmi se Edi Rama mund të bëhet Sekretar i Përgjithshëm më shqetëson shumë për disa arsye.
E para ai nuk ka shkollim ushtarak, por ka qenë në student në Arte. Duke qenë fëmijë bllokmeni, ai as në zbor nuk ka qenë i rregullt dhe nuk merr vesh nga armët luftarake. Ndërsa Doktori i njeh armët familjarisht dhe ja ka kultivuar dhe të birit profesionin e fishekë-shitësit, që është veprimtaria kryesore e NATO.
Edi Rama është i lidhur me Sorosin, që dihet nga të gjithë që është kundër luftërave, është pacifist dhe kërkon të sundojë botën me teoritë e tij pacifiste. Perëndimi nuk mund t’ia dorzojë NATO, fondacionit Soros.
Edi Rama ka marrë padrejtësisht dy poste të rëndësishme ndërkombëtare dy vitet e fundit, një që drejtoi OSBE dhe tani që është në Këshill të Sigurimit. Dhënia e një posti të tretë, do ishte teprim dhe do revoltonte çdo shqiptar dhe do dilnim nga NATO
Nëse ai shkon Sekretar i përgjithshëm i NATO, në Shqipëri Doktori do nisë një revolucion për ta përmbysur partinë e tij nga pushteti, pasi demokratëve u shkon thika deri në kockë. Armikun e tyre e shëtisni nga posti në post, kurse këtij tonit i hiqni dhe vizat. Ky është persekutim.
Së fundmi, nëse këtë lajm e keni sajuar për 1 Prillin, duhet të jeni më serioz, se na janë bërë nervat ujë dhe nuk durojmë dot as shaka.