Nga Edi Rama*
Është e para herë ose unë nuk mbaj mend një herë tjetër që kam pranuar të jem i pranishëm në një ceremoni të kësaj natyre dhe se kam harruar, i kërkoj ndjesë kujtdo që ka qenë arsyeja e pranisë time, por arsyeja e mos pranisë time në ceremoni të tilla është njëlloj frike për të dëgjuar fjalime si fjalimet që më kishin përgatitur mua për të mbajtur këtu, i cili ndër të tjera kishte shprehje si kjo.
“ Për përmasa të jashtëzakonshme intelektuale, për skenarët mrekullisht të shkëlqyer, për filmime metrazh të shkurtër dhe atë të animuar me personazhe të pavdekshme të ndërtuara me penë e tij si dhe një tërësi krijimtarie të ngritur përtej skenave të gatshme të diktuara nga rrethanat”.
Në kushtet kur nuk e pata mundësinë që, siç më ndodh përgjithësisht, ta përvetësoj dhe ta adoptoj fjalën, për të mos u gjendur pa fjalë këtu, zgjodha disa fjalë të vetë njeriut për të cilin jemi mbledhur dhe pastaj do them dhe arsyen pse unë jam këtu sot.
Poetët, njerëz të ligj, shtetet gjithmonë i shajnë, sillen me ta si me gratë, zihen dhe i ndajnë, pastaj prapë u bëjnë këngë, për ta zënë e qajnë. Është pak por e sigurtë i dashur Petrit që unë nuk jam këtu për të ndarë nga askush dhe për të marrë për vete ashtu sikundër më vjen mirë, të paktën deri më sot, nuk më ka qëlluar të shaj apo të grindem me një poet, por edhe mund të ndodhë.
Mund të ndodhë për faktin se ne jetojmë në një vend ku nderi i emrit të shkrimtarit, poet, artist, personalitet është një nder që bëhet rëndomë dhe përgjithësisht ndjesia ime është që kush e bën këtë nder, në fakt, përpiqet të lartësojë veten duke iu referuar adresës ku bën nderin. Unë kam ardhur këtu sepse, për hir të vërtetës, Petrit Ruka është patjetër poet, shkrimtar, skenarist por është një qenie shumë e rrallë në mexhelisin e kulturës dhe të artit tonë dhe është një autor të cilin nuk e gjen me lehtësi siç gjen të famshmit. Të famshmit janë të gjitha llojeve, që nga të famshmit e llojit që meriton famën tek të famshmit e llojit që famën e kanë të pamerituar apo tek të famshmit e llojit që famën e kanë të sponsorizuar, të stimuluar, të vetë krijuar.
Petriti nuk është i famshëm. Është një autor që nëse hapësirën ku gëlon produkti bashkëkohor i artit dhe kulturës sonë do ta konsideronin si pazar, nuk e gjen në pazar, duhet ti shkosh në shtëpi.
Duhet ti shkosh në shtëpi dhe duhet të presësh me durim që mes shumë orendive krejt të zakonshme, siç është dhe shtëpia, t’i gjesh librat dhe ka shumë orendi krejt të zakonshme në gjithë këtë pazar dhe lagjen e artistëve dhe të krijuesve të të gjitha llojeve, të cilat ekspozohen në të gjitha format dhe e bën edhe më të vështirë që të takosh krijimtarinë e Petrit Ruka. Për hir të vërtetës, nëse më pyesni mua personalisht që sa tituj mund të shtoj në krijimtarinë e tij, me siguri do rreshtoja shumë më pak se shumëkush që pa kursim do t’ia jepte të gjitha lëvdatat.
Ajo që është e jashtëzakonshme është se vargjet, sidomos vargjet, por edhe të tjera krijime të Petrit Rukës i gjen duke qëmtuar dhe duke tu shfaqur para syve papritur, pasi ke qëmtuar dhe duke kaluar në këto me dëshirën që të rikthehesh përsëri.
Është autori më i gabuar për tu bërë i famshëm por jam i bindur që është një ndër ata autorë që do të jenë aty për gjenerata e gjenerata e kur të famshmëve do u jetë harruar emri, do u jenë harruar veprat e patjetër që do u jetë tretur dhe fama. Shumë prej të famshmëve, jo gjithë të famshmëve natyrisht dhe për ta nderuar këtë lloj autorit, shumë të veçantë dhe për hir të vërtetës mbase mund të jetë e dobishme për këtë fjalë të improvizuar këtu që t’ju them se Petritit unë mund ta kem takuar një herë.
Ai mund të mbajë mend dhe dy po faktikisht nuk është një njeri që është si të gjithë të zakonshmit me famë dhe në këtë aspekt. I tërhequr, i mirë ulur në gurin e tij dhe i dhënë në një mënyrë që ndihet në çdo varg të tij, në çdo vepër të tij, pa kushte tek krijimtaria e tij duke të lënë të ndjesh se bëhet fjalë për një autor që me veten merret shumë pak, me emrin e tij mbase dhe më pak.
Nuk ia njoh jetën e përditshme pro nuk do kisha asnjë lloj surprize nëse do mësoja që jeton me shumë pak dhe krijon në vazhdimësi vlera që janë aq xhenuine, aq origjinale, aq burimore, aq të lidhur a me shumë gjëra që ne në mos i dimë, i ndjejmë si pjesë e kësaj shoqëria, si pjesë e kësaj bashkësie, si vazhdues të një historie që vazhdon dhe pas nesh sa që pa pikë dyshimi titulli jo vetëm është i merituar por është aq i meritua sa mund të duket sikur nuk është një vlerë e shtuar për të nëse marrim parasysh se sa shumë njerëz kanë marrë tituj në këtë vend.
Të jesh mes njerëzve me titull në dhe të kesh një titull, që mund të jetë siç është në këtë rast absolutisht i merituar, nganjëherë mund të jetë dhe një lloj sikleti por ky është një siklet që unë me shumë kënaqësi ia lë petritit të mbajë dhe uroj që ta mbajë me sukses si siklet.
Në mbyllje, dua të them dhe diçka tjetër, që në qenien dhe në biografinë e qenies së tij si autor jo si person, ka një tipologji shumë të veçantë sipas meje. Jo se është i vetmi apo i pari që përpiqet të shtrihet në të gjitha apo të paktën në të gjitha fushat ku krijuesi shtrihet me fjalë, por se ka një kapacitet transformues të jashtëzakonshëm në qenien e tij duke kaluar nga një zhanër në tjetrin dhe duke i dhënë çdo zhanri diçka që është vërtetë origjinale dhe vërtetë për tu admiruar.
Nuk di çfarë mund të shtoj më shumë dhe mbase nuk duhet të shtoj asgjë më shumë por do më falni se nuk jam mësuar me fjalime të shkurtra por dua sinqerisht që ti uroj petritit që të vazhdojë të ketë sa më shumë energji, sa më shumë kohë, sa më shumë dëshirë për të vazhduar të jetë ai që është në këtë tokë që siç thotë Petriti, është një teatër tragjedish ku të gjithë janë njëkohësisht dramaturg dhe aktorë e ku nuk ka shikues, nuk ka suflerë e nuk ka regjizorë.
Do të mbetet për një herë tjetër mbase do më jepet mundësia një bisedë me Petritit nëse jo tokë është një tokë tragjedish apo komedish, ose të dyja bashkë por patjetër që është një tokë ku siç thotë Petriti, edhe korbat bëhen të bardhë nga pritja.
Petriti sot është i bardhë, unë jam i bindur që nuk e ka pritur këtë titull, pra nuk është lodhur ta presë këtë titull, titulli i ka ardhur pa e pritur, uroj që ta shijojë edhe pse kam bindjen që një ditë me siguri diçka do shkruhej dhe për këtë ditë sot e unë shpresoj që si një nga personazhet e kësaj dite, të mos më fusi tek komedia. Faleminderit!
*Fjala e kryeministrit Edi Rama gjatë ceremonisë ku poeti dhe kineasti i shquar Petrit Ruka u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa”